Dy atentatet e regjistruara ditën e djeshme në Lezhë dhe Tiranë dyshohet se kanë lidhje me njëri-tjetrin, ku porositës ka qenë i njëjti grup, por tek ngjarja e Tiranës atentatorët kanë ngatërruar shënjestët, duke zbrazur karikatoret e kallashnikovit tek fëmijë të pafajshëm.
Burime për mediat pranë grupit hetimor bëjnë me dije se grupi i atentatorëve, pasi kanë ekzekutuar në Pllanë të Lezhës 64-vjeçarin Gjovalin Prendin, babain e Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, kanë tentuar të vrasin edhe bashkëshorten e këtij të fundit, por kanë ngatërruar shënjestër.
Mësohet se automjeti që përdor bashkëshortja e Roan Brahimit (Sidorel Prendit) është tip “G Class”, njësoj si mjeti i familjes së Vesel Demirajt, pronari i kompanisë “Pelikani Security”.
Dyshohet se kanë qenë dy atentatorë me motor, të cilët kanë menduar se brenda automjetit ndodhej bashkëshortja e Roan Brahimit dhe kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi, teksa mjeti ishte në lëvizje.
Brenda automjetit ndodheshin Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, Dior Demiraj, 11 vjeç (nipi dhe djali i Vesel Demirajt), Arenc Stafa, 34 vjeç (shoferi i familjes Demiraj), si dhe shoku i dy kushërinjve Demiraj, Kian Mullahi, 19 vjeç, djali i Elona Mullahit, anëtare e bordit të korporatave në “Raiffeisen Bank”.
Të katërt ata po ktheheshin për në banesat e tyre në “Rolling Hills”, pasi kishin shkuar në Pjezë të Shijakut tek pista ku bëhen gara me makina “Arena Karting Albania”, sepse 11-vjeçari Dior Demiraj kishte ditëlindjen.
Dy të miturit janë në gjendje më të rëndë, teksa shoferi Arenc Stafa dhe Kian Mullahi kanë marrë dëmtime më të lehta. Në dëshmitë e para të familjarëve dhe dy personave që janë plagosur më lehtë, ata kanë mohuar të kenë pasur probleme me njeri, apo të ishin konfliktuar ditën e djeshme.
Kjo ka ngritur dyshime tek grupi hetimor se kemi të bëjmë me një ngatërresë të shënjestrës, ku plumbat mund të ishin “taksur” për bashkëshorten e Roan Brahimit alias Sidorel Prendit.
Dy atentatet janë regjistruar në një distancë kohore prej 45-minutash, teksa në të dy rastet nuk kemi mjete të autorëve të djegura, ndryshe nga çfarë ka ndodhur në atentatet e mëparshme.
Babai i Roan Brahimit, 64-vjeçari Gjovalin Prendi u ekzektua teksa ndodhej në lokalin e tij. Një automjet tip “Porsche” ka ndaluar para biznesit dhe prej andej kanë dalë dy persona të maskuar, ku njëri ka qëlluar nga një distancë e afërt me breshëri kallashnikovi.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, për shkak të përfshirjes së djalit të tij në disa ngjarje kriminale. Roan Brahimi alias Sidorel Prendi u ekzekutua në Maj të vitit të kaluar në Athinë, teksa sapo ishte kthyer nga Dubai dhe ndodhej me partneren e dytë në një park së bashku me fëmijën e tyre të mitur.
Roan Brahimi (Sidorel Prendi) kishte lidhje të afërta me persona të përfshirë në krime të bujshme në Shqipëri.
Ai konsiderohej si armik i përbetuar i Ervis Martinajt, duke përfshirë edhe dhe familjarë të bashkëshortes së tij të parë, së cilës i kishte përvetësuar mbiemrin Brahimi që edhe ai mbante, pasi ishin pjesë e grupit të “Mbretit të Kumarit”, i zhdukur pa gjurmë që prej gushtit të vitit 2022.
Përplasja e parë e madhe midis Roan Brahimit dhe njerëzve të bashkëshortes së tij, nis me Ylli Brahjan apo Brahimi. I cili konsiderohej si truri financiar i Ervis Martinaj. Sipas dokumenteve sekrete të policisë, Ylli Brahja mendohet se një ditë e ka marrë në mirëbesim Roan Brahimin dhe pa dijeninë e tij e ka dorëzuar në një nga bazat sekrete që mbreti i bixhozit, përdorte për të strehuar “kundërshtarët”.
Atë ditë thuhet se Roan Brahimi është dhunuar barbarisht për orë të tëra, ku shkak mendohet të jetë bërë një borxh i pakthyer, që ai i kishte Ervis Martinajt, që lidhej me lojërat e fatit.
Pas asaj ngjarje, dyshohet se Roan Brahimi alias Sidorel Prendi ishte betuar se nuk do t’i falte Ervis Martinajt dhe Ylli Brahajt (Brahimit) atë çfarë i bënë.
Roan Brahimi alias Sidorel Prendi dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e Gentjan Bejtjes më 15 mars 2024 në Larushk të Krujës, ku një nga të arrestuarit, Ilir Beqaraj, ishte kunati i tij. Po ashtu, ai dyshohet se ka pasur rol edhe në vrasjen e Brilant Martinajt, kushëririt të Ervis Martinajt, në atentatin e ndodhur më 17 korrik 2022, ku humbën jetën edhe dy persona të tjerë.