Athletic Club e ka fituar Superkupën e Spanjës për herë të tretë në historinë e klubit, pasi e mposhti Barcelonën 3:2 në një finale dramatike në kohën shtesë.
Oscar de Marcos, Asier Villalibre dhe Inaki Williams shënuan për t’ia siguruar Athleticos trofeun e parë që prej sezonit 2015/16, të dielën në Sevillë.
Triumfi i skuadrës së Marcelino Garcia Toral në gjysmëfinale kundër Real Madridit nuk ishte rastësi, pasi Athletic tregoi forcën dhe me meritë e mposhti edhe Barçën me përmbysje.
Skuadra e Ronald Koeman – i cili po e kërkonte trofeun e parë me Barcelonën që prej se e mori drejtimin e skuadrës verën e kaluar – e pati dy herë epërsinë në dorë por dështoi ta mbante.
Antoine Griezmann e kaloi Barçën në epërsi në minutën e 40-të, por përgjigja e Athletic ishte super e shpejtë, pasi De Marcos e barazoi rezultatin pas vetëm dy minutave.
Sulmuesi francez e ktheu epërsinë e katalonasve pak më shumë se 10 minuta para fundit, duke realizuar nga afërsia pas një harkimi nga Jordi Alba.
Por Villalibre e mbajti në lojë skuadrën baske duke e barazuar rezultatin në çastet e fundit, duke bërë që ndeshja të shkojë në shtesë dy herë nga 15 minuta.
Williams e kompletoi rikthimin mahnitës për Athletic Club duke shënuar gol fantastik në fillim të kohës shtesë.
Barça i pati më shumë se 20 minuta për ta shmangur humbjen e 13-të në finale të Superkupës, por dështoi, me kapitenin Lionel Messi që u ndëshkua me karton të kuq për një goditje me bërryl ndaj kundërshtarin në minutën e 120-të.