Një rekord i ri i infeksioneve të përditshme me Covid-19 në Australi u vendos sot, pasi shteti i Uellsit të Ri të Jugut raportoi 681 raste të reja.
Kryeministrja e këtij shteti, Gladys Berejiklian tha se një burrë vdiq duke e çuar numrin e jetëve të humbura në lidhje me virusin në shtet në 117 që nga fillimi i pandemisë.
Ndërkohë, kryeministri i shtetit të Viktorias, Daniel Andrews tha se, ndërsa 57 rastet në shtet ishin më shumë se dyfishi i atyre të regjistruar një ditë më parë, 44 prej tyre kanë qenë në izolim për periudhën e tyre infektive.
“Unë e di që 57 duket si një numër shumë i madh”, u tha Andrews gazetarëve.
“Por, kur shumica dërrmuese e atyre kanë qenë në izolim për periudhën e tyre infektive, kjo është pikërisht ajo që ne duam. Ky është sistemi që funksionon saktësisht ashtu siç duhet të funksionojë”, theksoi ai.
Asnjë rast tjetër i transmetuar në vend nuk u raportua fillimisht në pjesën tjetër të vendit.
Qyteti Kethrin, rreth 310 kilometra në juglindje të Darvinit, do të mbetet në izolim për të paktën 24 orë.
Në Uellsin e Ri të Jugut, Berejiklian tha se dje ishin vaksinuar 110 000 persona duke e quajtur atë një rezultat fenomenal, pasi 53 për qind e banorëve të shtetit kanë marrë të paktën një dozë dhe 28 për qind janë vaksinuar plotësisht.
Australia, me 25 milionë banorët e saj, ka qenë shumë e suksesshme në luftën kundër pandemisë për shkak të masave jashtëzakonisht të rrepta, përfshirë mbajtjen e kufirit të saj ndërkombëtar të mbyllur, që nga marsi i vitit 2020.
Sidoqoftë, një pjesë e madhe e popullsisë është përsëri në bllokim për shkak të përhapjes së variantit Delta dhe një shtrirje të ngadaltë të vaksinimeve.