Austria pezullon ligjin për vaksinimin e detyrueshëm kundër Covid-19 për të gjithë të rriturit, vetëm një muaj pasi qeveria e kishte miratuar atë.
Shteti me 9 milionë banorë ishte ndër të paktët në botë që i bëri të detyrueshme vaksinat kundër koronavirusit për të gjithë të rriturit.
Ligji hyri në fuqi në shkurt dhe parashikonte gjoba deri në 3,600 euro nga mesi i marsit për të gjithë ata që kapeshin ne shkelje.
Ministrja përgjegjëse për çështjet kushtetuese Karoline Edtstadler tha se “shkelja e të drejtave themelore” të ligjit nuk mund të justifikohet më nga rreziku që paraqet pandemia.
“Pas konsultimeve me ministrin e shëndetësisë, ne kemi vendosur që sigurisht që do të ndjekim atë që ka thënë komisioni i ekspertëve të shëndetësisë. Ne nuk shohim të nevojshme të zbatojmë vaksinimin e detyrueshëm për shkak të variantit Omicron, më i përhapuri kryesisht në vend”.
Varianti shumë i transmetueshëm mendohet se është më pak i rëndë se format e mëparshme të virusit, dhe deri më tani spitalet austriake kanë qenë në gjendje të përballojnë rritjen e infektimeve.
Thirrjet për rishikimin e ligjit janë bërë gjithnjë e më të më mëdha, pasi Austria ka hequr pothuajse të gjitha kufizimet e koronavirusit javët e fundit.
Në raportin e fundit të së martës Austria kishte regjistruar në total 3 milionë raste dhe më shumë se 15 mijë vdekje që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020./ The Guardian