Author: albnews

  • Shqipëria i kërkon Sllovakisë të hapë zyrë ndërlidhëse për Kosovën

    Shqipëria i kërkon Sllovakisë të hapë zyrë ndërlidhëse për Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka kërkuar nga Sllovakia të hapë një zyrë ndërlidhëse për Kosovën në Bratislavë.

    Në një vizitë që Ivan Korcok, ministër i Jashtëm i Sllovakisë ka bërë në Tiranë të mërkurën, ku si temë diskutimi ishte procesi i integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në Bashkimin Evropian, Xhaçka ka thënë se i ka kërkuar Sllovakisë që të hapë këtë zyrë si shenjë përkrahjeje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sllovakia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ka refuzuar ta njohë Kosovën.

    Miroslav Lajçak, që dikur ishte ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, tani është përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

  • Masat anti-Covid, Vasili: Komiteti Teknik i Ekspertëve, i shndërruar në një komitet politik

    Masat anti-Covid, Vasili: Komiteti Teknik i Ekspertëve, i shndërruar në një komitet politik

    Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili reagoi sot në lidhje me vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve sa i përket masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

    Me anë të një deklarate për mediat, Vasili tha se, “jeni njohur pak çaste më parë sërish me masa shtrënguese të reja, të një qeverie që, lidhur me pandeminë, nuk di të bëjë asgjë tjetër përveçse të hedhë barrën e ngarkesës dhe të përgjegjësisë te qytetarët, pa bërë asgjë konkrete për ta”.

    “Është e qartë se këto masa që merren nga një Komitet Ekspertësh, i cili është shndërruar tërësisht në një komitet politik dhe jo më në një komitet teknik, të bazuar mbi shkencën, janë masa që nuk kanë ndihmuar aspak deri më sot pandeminë, por përkundrazi kanë bërë që ajo të thellohet dhe të arrijë në këto shifra kritike dhe alarmante, të cilat ishin paralajmëruar në mënyrë sistematike për muaj e muaj me radhë nga opozita”, tha Vasili.

    Ai tha se, “shqiptarët kanë nevojë që mijëra shqiptarë që dergjen me patologjinë në banesë të rimbursohen 100 %, pasi financat e tyre nuk mbajnë më. 100 milionë euro kanë dalë nga xhepat e tyre”.

    Vasili theksoi se, “në momentin më të vështirë të tyre shqiptarët u gjendën pa qeveri, pa kryeministër, përkundrazi u gjetën me disa shpërdorues, me disa grabitqarë që lekët klientëve të tyre ua nisin radhë, ndërsa shqiptarëve, të cilët nuk kanë për barna, mendoni për bukën e gojës, nuk u gjenden dhe sot e kësaj dite”.

    Prandaj, shtoi Vasili, “çdo lloj mase shtrënguese e tyre është provë e paaftësisë dhe provë e mëtejshme që ata çdo përgjegjësi ua hedhin të tjerëve dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi për veten e tyre”.

  • Ziadin Sela në përkrahje të Kurtit e Osmanit

    Ziadin Sela në përkrahje të Kurtit e Osmanit

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni, Ziadin Sela i ka dhënë mbështetje Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit, raporton Gazeta Express.

    Sela sot i është bashkuar Kurtit e Osmanit në Prizren duke iu uruar sukses në zgjedhjet që po vijnë.

    “Sot, së bashku me Afrim Gashin, iu bashkuam Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në marshimin e tyre për ndryshim në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Republikën e Kosovës. Tani është në duart e qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u besojnë atyre një mandat të pakontestueshëm për të operuar një transformim të vërtetë nga sistemi i vjetër. Suksese Albin dhe Vjosa”, ka shkruar ai.

  • Identifikohet një lloj i ri i koronavirusit në lakuriqë, i ngjan SARS-CoV-2

    Identifikohet një lloj i ri i koronavirusit në lakuriqë, i ngjan SARS-CoV-2

    Një lloj i ri i koronavirusit, i ngjashëm me atë që e ka shkaktuar pandeminë Covid-19, është identifikuar në gjakun e pesë lakuriqëve në Tajlandë.

    Virusi SARS-CoV-2, që e shkakton sëmundjen Covid-19, e ka kodin gjenetik 91.5 për qind të njëjtë me virusin e identifikuar së fundi, që quhet RacCS203, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

    Besohet se ky virus nuk mund t’i infektojë njerëzit për shkak se nuk mund të ngjitet në receptorin ACE2 të qelizave të njeriut.

    Megjithatë, antitrupat që ishin duke qarkulluar në gjakun e lakuriqëve dhe pangolinëve të infektuar u zbulua se janë efektivë për neutralizimin e virusit SARS-CoV-2.

    Ekspertët kanë spekuluar se ky paradoks biologjik lë të kuptohet se koronaviruset me bazë në lakuriqë normalisht nuk mund t’i infektojnë njerëzit.

    Autorët e studimit mendojnë se koronaviruset mund ta zhvillojnë aftësinë për t’i infektuar njerëzit pasi të kenë kaluar së pari te një kafshë tjetër.

    Hulumtuesit e udhëhequr nga Universiteti Chulalongkorn në Bankok morën mostra nga lakuriqët në pjesën lindore të Tajlandës. Ata bënë sekuencim gjenetik në virusin e ri për të zbuluar se sa ngjan ai me koronaviruset tjera.

    Pas studimit u zbulua se koronavirusi më i ngjashëm është një që quhet RmYN02, që materialin gjenetik e ka 93.6 për qind të ngjashëm me virusin SARS-CoV-2.

    Më parë, viruse të ngjashme janë gjetur në Kinë dhe Japoni, por prania e këtij varianti në Tajlandë tregon se koronaviruset janë të përhapura në hapësirë shumë më të madhe sesa është menduar më parë, me gjasë në një hapësirë prej 3.000 miljesh në Azinë Juglindore.

  • Tërmet i fuqishëm godet Australinë, alarm për cunam

    Tërmet i fuqishëm godet Australinë, alarm për cunam

    Një tërmet i fuqishëm është regjistruar në oqeanin Paqësor në afërsi të Australisë.

    Sipas EMSC, tërmeti ka qenë i një madhësie 7.7 të shkallës rihter, me epiqendër 470 km larg nga Vanuatu dhe New Caledonia.

    Në afërsi të epiqendrës ndodhen disa ishuj, ndërkohë që nuk raportohen dëme material deri në këto momente.

    Autoritetet po qëndrojnë në gatishmëri, për shkak të frikës së një cunami të mundshëm. Pak para tërmetit 7.7 të shkallës rihter, janë regjistruar edhe dy tërmete me magnitudë 6.

  • Rënie drastike e turizmit në Gjermani

    Rënie drastike e turizmit në Gjermani

    Industria e turizmit në Gjermani pati një vit krize në  2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit, me një rënie prej 39% krahasuar me vitin e kaluar, tha sot Zyra Federale e Statistikave (Destatis).

    “Numri i netë-qëndrimeve ra në 302,3 milionë”, njoftoi agjencia qeveritare.

    Në dhjetor, netë-qëndrimet ranë me 78,4% krahasuar me të njëjtin muaj në 2019 për të arritur 6,7 milionë.

    Gjermania aktualisht është nën një bllokim disa mujor, e dyta prej të cilave ndikon në turizmin në vend, që nga goditja e pandemisë në mars.

    Një lehtësim i shumë kufizimeve gjatë periudhës së verës nuk ishte i mjaftueshëm për të kompensuar biznesin e humbur.

    Festivale të panumërta janë anuluar për shkak të krizës dhe kufizimet e udhëtimit ndërkombëtar kanë parandaluar që shumë turistë të huaj të vizitojnë vendin./

  • E sulmuan me acid, vajza shqiptare nuk dorëzohet

    E sulmuan me acid, vajza shqiptare nuk dorëzohet

    Vilma Dule është vajza nga Vlora e cila është padyshim shembulli më i mirë i vajzës shqiptare e cila pavarësisht çdo gjëje ajo ia ka dalë mbanë.

    Vilma është 30-vjeç dhe historia e saj nisi 8 vite më parë. Në atë kohë ajo u sulmua barbarisht me acid nga një person, teksa po dilte nga dera e shtëpisë.

    E ndërsa ajo e ka gjetur forcën për të dalë para të gjithëve, Vilma poston vazhdimisht foto duke treguar se nuk ka ndërmend të dorëzohet.

    “Acidin jua le atyre, Une zgjedh lulet. Jave te mbare miqte e mi dhe mos harroni te shijoni rrezet e diellit sot “, shkruan ajo në një video duke i dhënë kurajo të gjithëve. /albeu.com/

    https://www.facebook.com/watch/?v=1954121798138487
  • Mbi 107 milionë të infektuar me Covid-19 në botë

    Mbi 107 milionë të infektuar me Covid-19 në botë

    107 milionë e 490 mijë e 619 persona janë raportuar si të infektuar me koronavirus në botë.

    Sipas faqes botërore të statistikave, worldometers.info, 2 milionë e 353 mijë e 256 persona kanë vdekur si pasojë e këtij virusi, ndërsa 79 milionë e 420 mijë e 797 janë shëruar nga ai.

    Amerika prinë me numrin më të madh të të infektuarve me gjithsej 27 milionë e 799 mijë e 946 raste, pastaj India me 10 milionë e 858 mijë e 300 raste dhe Brazili me 9 milionë e 602 mijë e 34 raste.

    Vetëm në Kosovë numri total i rasteve pozitive me COVID-19 ka shkuar në 62 mijë e 782 raste nga 254 mijë e 568 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

     1 mijë e 528 persona kanë vdekur si pasojë e këtij virusi.

    Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 209 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 54.440 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.814.

  • LA PATRIE (1901) / FAIK KONICA : “NUK PRANOJMË AS ANEKSIM AS NËNSHTRIM NDAJ ITALISË ! MË MIRË TË QËNDROJMË TURQ SESA TË BËHEMI ITALIANË!”

    LA PATRIE (1901) / FAIK KONICA : “NUK PRANOJMË AS ANEKSIM AS NËNSHTRIM NDAJ ITALISË ! MË MIRË TË QËNDROJMË TURQ SESA TË BËHEMI ITALIANË!”

    Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Shkurt 2021

    “La Patrie” ka botuar, të hënën e 8 korrikut 1901, në ballinë, një shkrim në lidhje me reagimin e Faik Konicës (Thrank Spirobeg) ndaj qëllimeve italiane asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

    Italia dhe Shqipëria

    Intrigat u zbuluan. – Përgjigje nga patriotët shqiptarë.

     (Shërbimi special i La Patrie) 

    Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
    Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

    Vjenë, 7 korrik. – Trazira e nxitur në Shqipëri nga emisarët italianë për të krijuar një lëvizje opinioni në favor të aneksimit nga Italia ka marrë një goditje fatale. Nëse italianët ende imagjinojnë që shqiptarët kanë dëshira të zjarrta për t’u bërë nënshtetas të mbretit Viktor Emanuel, kjo është për vetëkënaqësinë e tyre.

    Botimi i fundit i Albania-s, organi i komiteteve revolucionare shqiptare, i cili botohet në Bruksel, përmban një artikull të nënshkruar nga Z. Thrank Spirobeg mbi çështjen e propagandës italiane në Shqipëri. Kujtojmë që Z. Spirobeg është udhëheqësi i njohur i Partisë Nacionaliste Shqiptare dhe se ai u internua nga qeveria Osmane për pjesëmarrjen e tij aktive në një fushatë trazirash që synonte ta bënte Shqipërinë të pavarur nga Turqia.

    Z. Spirobeg nuk heziton t’i vë flakën barutit. Ai deklaron kategorikisht se përkëdheljet italiane janë të dyshimta për nacionalistët shqiptarë.

    Italia, vazhdon ai, i ka dhënë vetes misionin pak a shumë të mprehtë të provokimit të konflikteve të armatosura në Ballkan dhe të përfitimit nga çrregullimi që një luftë do të shkaktonte për të aneksuar Shqipërinë ose për ta nënshtruar atë në protektoratin e saj.

    Shqiptarët nuk janë më shumë një racë latine sesa japonezët; ata nuk kanë asgjë të përbashkët me popullin italian, as gjuhën, as traditat, as fatet. Nëse ne kërkojmë autonominë tonë, është pikërisht për të forcuar dhe zhvilluar një kombësi të pavarur. Por ne do të kundërshtojmë me forcë planet e Italisë, e cila dëshiron të bëjë me Shqipërinë atë që bëri Austria me Bosnjën dhe Hercegovinën. Më mirë të qëndrojmë turq sesa të bëhemi italianë!

    Nëse kjo gjuhë e qartë nuk dëgjohet në Romë, kjo është për shkak se ministrat italianë kanë një vesh të shurdhur!

  • CHICAGO TRIBUNE (1924) / VDEKJA E MISTERSHME E DY VËLLEZËRVE AMERIKANË COLEMAN, NJËRI NË KALIFORNI DHE TJETRI NË SHQIPËRI

    CHICAGO TRIBUNE (1924) / VDEKJA E MISTERSHME E DY VËLLEZËRVE AMERIKANË COLEMAN, NJËRI NË KALIFORNI DHE TJETRI NË SHQIPËRI

    Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Shkurt 2021

    “L’Avenir” ka botuar, të premten e 9 majit 1924, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me vdekjen e mistershme të dy vëllezërve amerikanë Coleman, njëri në Kaliforni dhe tjetri në Shqipëri (pas një atentati në Mamurras), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

    New York, 8 maj. – Chicago Tribune shkruan :

    Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

    Pas vdekjes së z. Robert Coleman, financieri i San Franciskos, një nga dy tregtarët amerikanë që u vranë nga banditë shqiptarë më 6 prill, avokatët janë në mëdyshje për trashëgiminë, sepse, në të njëjtën kohë, vëllai i tij, z. William Coleman, vdiq në shtëpinë e tij në Kaliforni.

    Z. William Coleman vdiq në orën një të mëngjesit (natës), me orën e Kalifornisë, ndërsa Z. Robert Coleman vdiq në dhjetë të mëngjesit, me orën shqiptare. Duke llogaritur diferencën nëntë orë, të dy vdiqën në të njëjtën kohë.

    Trashëgimia e një prone me vlerë rreth 500.000 dollarë varet nga njohja e saktë e minutës që vdiqën të dy vëllezërit, në mënyrë që të dihet se cili nga të dy vdiq i pari.

    Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 8 maj 1924, Ballinë
    Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 8 maj 1924, Ballinë