Një burrë që goditi me çekiç në kokë bashkëshortin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ndërsa bërtiste “Ku është Nancy?”, u përball të shtunën me akuza për tentativë vrasjeje dhe krime të tjera një ditë pas sulmit të dhunshëm në San Francisko në shtëpinë e çiftit.
Policia fillimisht refuzoi të jape një motiv për sulmin e së premtes ndaj 82 vjeçarit Paul Pelosi, i cili sipas zyrës së zonjës Pelosi iu nënshtrua një operacioni për një frakturë kafke dhe lëndimeve në krahun dhe dorën e djathtë, megjithëse mjekët presin që ai ta marrë veten plotësisht.
Por sulmi ngjalli frikën për dhunë politike më pak se dy javë para zgjedhjeve për Kongresin më 8 nëntor, të cilat do të përcaktojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dhe që vijnë në mes të klimës politike më të ashpër dhe të polarizuar në SHBA prej dekadash.
Vetë kryetarja 82-vjeçare e Dhomës së Përfaqësuesve, një demokrate, e cila është zyrarja e dytë më e lartë në radhë për presidencën e Shteteve të Bashkuara, ishte në Uashington dhe e shoqëruar me truprojat e saj të sigurisë në kohën e sulmit.
Ajo udhëtoi në San Francisko për të qenë pranë bashkëshortit të saj.
Policia tha se autori i arrestuar në vendngjarje është 42 vjeçari David Depape. Edhe ai u dërgua në një spital të San Franciskos.
Atij iu caktua masa e paraburgimit me dyshimin për tentativë vrasjeje, sulm me armë vdekjeprurëse, abuzim me të moshuar, dhunë, vjedhje dhe disa krime të tjera. Akuzat zyrtare pritet të ngrihen nga prokuroria e Qarkut të San Franciskos.
Shefi i policisë së San Franciskos, William Scott, tha në një konferencë shtypi të premten në mbrëmje se detektivët e policisë, me ndihmën e agjentëve të FBI-së, nuk kishin përcaktuar ende se çfarë e nxiti sulmin por tha: “Ne e dimë se ky nuk ishte një akt i rastësishëm.”
Në një deklaratë, zëdhënësi i zonjës Pelosi, Drew Hammill, tha se bashkëshorti i saj ishte sulmuar “nga një person që veproi me dhunë dhe kërcënoi jetën e tij ndërsa kërkonte të takonte Kryetaren.”
Sipas një personi të informuar për incidentin, i cili foli me agjencinë Reuters në kushte anonimiteti, para sulmit ai bërtiti, “Ku është Nancy?”
Në kërkim të motivit
Në kërkimin e një motivi, vëmendja u kthye te profili në internet i të dyshuarit.
Në postimet e fundit në disa faqe, një përdorues i internetit i quajtur “daviddepape” kishte shprehur mbështetje për ish-presidentin Donald Trump dhe kishte përqafuar teori konspiracioni të ngjashme me grupin QAnon. Postimet përfshinin referenca antisemitizmi dhe kritika ndaj grave, njerëzve transgjinorë dhe censurës nga kompanitë e teknologjisë.
Shqetësime për ekstremizëm
Incidenti erdhi një ditë pasi policia e qytetit të Nju Jorkut paralajmëroi se ekstremistët mund të vinin në shënjestër politikanë, aktivitete politike dhe qendrat e votimit përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit.
Policia e Kapitolit tha se hetoi 9,625 kërcënime kundër ligjvënësve nga të dyja palët në vitin 2021, një rritje gati trefish nga viti 2017.
Si udhëheqëse demokrate në Uashington dhe një përfaqësuese e kahershme e një prej qyteteve më liberale të Amerikës, Nancy Pelosi është objektiv i shpeshtë i kritikave republikane.
Zyra e saj u plaçkit gjatë sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol nga mbështetës të Presidentit republikan të atëhershëm Trump, disa prej të cilëve u përpoqën ta gjenin atë gjatë sulmit.
Udhëheqësi i republikanëve në Senat Mitch McConnell tha se ishte “i tmerruar dhe i neveritur” nga dhuna e së premtes dhe udhëheqësi I republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy tha se kishte folur me zonjën Pelosi.
Por një nga reagimet më të forta erdhi nga ligjvënësi Adam Kinzinger, një nga dy republikanët në kimisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që hetojnë sulmin e 6 janarit, i cili dënoi rritjen e retorikës ndezëse që vë në shënjestër kundërshtarët politikë dhe nxit gënjeshtra për të mashtruar votuesit.
“Kur i bind njerëzit se politikanët po manipulojnë zgjedhjet, pinë gjak bebesh etj., do të kesh dhunë. Kjo duhet të kundërshtohet me forcë,” shkruante ai në Twitter.
Duke folur në një aktivitet fushate në Pensilvani, Presidenti Joe Biden i tha turmës: “Mjaft më!”
“Çdo person i ndërgjegjshëm duhet të ngrejë zërin qartë dhe pa mëdyshje kundër dhunës në politikën tonë, pavarësisht se cila është politika e tij,” tha zoti Biden.