Autoriteti i Konkurencës ka nisur hetimet për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, vendim ky i miratuar dy muaj më parë nga Bashkia e Kamzës për linjat Kamëz–Tiranë–Kamëz dhe Paskuqan–Babrru–Tiranë.
Hetimi filloi pas ankesave të shumta publike lidhur me rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve të transportit urban në Kamëz. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, qëllimi i hetimit është analizimi i funksionimit të konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun përkatës.
Kompania e vetme e licensuar për ofrimin e këtij shërbimi është shoqëria “SHPRESA – AL” SHPK. Autoriteti thekson se nga vlerësimi paraprak nuk rezultojnë analiza të plota ekonomike apo financiare që të provojnë se rritja e tarifave është e bazuar në rritje reale të kostove, është e domosdoshme ekonomikisht dhe e justifikuar mbi kritere objektive të tregut.
Hetimi i referohet periudhës kohore 1 janar 2025 deri më 12 dhjetor 2025 dhe ka për qëllim vlerësimin e veprimtarisë së kompanisë nëse përbën kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës.
Kujtohet se rritja e çmimit të biletës në linjën Kamëz–Tiranë nga 40 në 50 lekë, si dhe shtrenjtimi i abonesë mujore nga 1200 në 1400 lekë, është shoqëruar me dyshime serioze për konflikt interesi.
“Autoriteti i Konkurrencës hap hetim paraprak në transportin urban në Kamëz
Pas ankesave dhe shqetësimeve publike për rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e hetimit paraprak ndaj SHPRESA – AL SHPK.
Linjat e përfshira
· Kamëz – Tiranë – Kamëz
· Paskuqan – Babrru – Tiranë
SHPRESA – AL SHPK rezulton operatori i vetëm i licencuar, duke zotëruar pozitë dominuese në treg.
Nga vlerësimi paraprak, mungojnë analiza ekonomike dhe financiare që të justifikojnë rritjen e tarifave.
Periudha e hetimit: 1 janar 2025 – 12 dhjetor 2025
Autoriteti i Konkurrencës do të vijojë me trajtimin e çështjes dhe do të informojë publikun për rezultatet e procedurës dhe çdo vendimmarrje të mëtejshme”, thuhet në njoftim.




