Një aksident ajror ka ndodhur këtë të martën në Mogadishu, kryeqyteti i Somalisë, ku një avion pasagjerësh i tipit Fokker 50 ka dalë nga pista gjatë uljes dhe ka përfunduar në plazh, shumë pranë vijës bregdetare. Në bord ndodheshin 55 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, të cilët u evakuuan me shpejtësi, fatmirësisht pa pësuar lëndime të rënda.
Avioni i kompanisë lokale StarSky kishte shfaqur probleme teknike pak pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar Aden Adde, në fluturimin drejt Galkayos. Për shkak të defektit, ekuipazhi mori leje për ulje emergjente. Gjatë kontaktit me pistën, mjeti ajror devijoi, kaloi përtej skajit të saj dhe u ndal në rërën e plazhit, thuajse në ujë.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë avionin në breg, jashtë perimetrit të aeroportit, ndërsa shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të garantuar sigurinë. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e incidentit.

