Avokati i ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Ben Emmerson në seancën që po mbahet në Hagë ka thënë se dëshmitarët që janë në listë s’kanë të bëjnë asgjë me Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin, raporton Gazeta Express.
Emmerson ka thënë se prokuroria po përpiqen ta justifikojnë faktin se kanë arrestuar 4 burra dhe kanë prova kundër tyre.
“Këta njerëz s’kanë punë fare me këtë çfarë pretendohet, asnjë nga këta që janë në listë s’kanë lidhje me këta të pandehurit, është një kënetë kaotike dhe ata përpiqen të justifikojnë faktin që i kanë arrestuar këta 4 burra dhe kanë prova kundër tyre”, ka thënë ai.
Avokati britanik e ka quajtur të turpshme mosgatishmërinë e prokurorisë për ta paraqitur dosjen e saj.
“Fakti që prokuroria ka pasur kohë një vit dhe sërish s’ka dalë ta deklarojë dojsen e saj është turp, dhe tani po thonë deri më 17 dhjetor do ta kemi gati dosjen paragjyqësore”, tha ai.
Ben Emmerson, avokati i Kadri Veselit, në seancën e sotme ka folur për një dokument që sipas tij, është jetik për lirimin e klientit të tij nga paraburgimi.
Emmerson është shprehur i shqetësuar duke thënë që ky dokument të përkthehet sa më shpejt.
“Për momentin jam i shqetësuar për vetëm një dokument. Dua të sigurohem që ju i nderuar gjykatës duhet ta dijnë për çka është fjala. Është një dokument që është marrë të mërkurën më 27. Kam frikë që data 10 nëntor është një periudhë shumë e gjatë. Është një dokument që lidhet me lirimin e klientit tim. Unë e kam lexuar në anglisht dhe është më urgjencë parësore”, tha ai.
Tutje, aty u fol edhe për përmbajtjen e dokumentit e cila. sipas avokatit është konfidenciale
“Është përmbajtja e dokumentit dhe kërkesës që përmban dokumenti të cilat janë konfidenciale. Por përmbajtja e përgjigjes janë konfidenciale. Nuk janë vetëm dy dokumente, ka pasur përgjigje, pastaj kërkesa dhe të njëjtat janë përkthyer. A mund të na sqaroni nëse identiteti të cilit i është dërguar kjo kërkesë është konfidencial?”, tha Emmerson.