Procesi i Berlinit po rezulton një mekanizëm i frytshëm në rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ndërsa ato mund të zhvillojnë politika dhe udhërrëfyes të cilët do ti çojnë në destinacionin e duhur. Në thelb kjo ishte fjala e zëvendëskryeministres njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në konferencën “Zbatimi i axhendës së gjelbër për prosperitet ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor” që po mbahet në Tiranë.
Zonja Balluku tha se bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe me BE-në është në nivelet më të larta. “Kjo edhe falë lidershipit të qeverisë gjermane për sa i përket Procesit të Berlinit, një platformë që ka vërtetuar se është mekanizëm i frytshëm në rrugëtimin e vendeve tona drejt BE-së, duke jetësuar reforma dhe projekte të cilat na sjellin më pranë realizimit të objektivave kombëtare dhe atyre të lidhura me anëtarësimin”, tha ajo.
Sipas saj, kriza energjetike, më e rënda në shumë vite, vuri përpara një dileme shumë të madhe të gjitha vendet, qofshin këto të vogla apo të mëdha, për të gjetur një ekuilibër të qëndrueshëm në politikat afatgjata ndërmjet interesave të zhvillimit ekonomik, atyre mjedisore, por edhe atyre sociale.
Duke ju referuar nismës gjermane “Partneriteti i klimës së Ballkanit Perëndimor”, zonja Balluku sugjeroi si thelbësore krijimin e një vizioni të unifikuar se si vendet e rajonit të arrijnë në 2030 objektivat e vendosura apo në 2050.
Ministrja Balluku është shprehur se rritja e kapaciteteve dhe siguria energjetike është në çdo rast prioritet për Qeverinë Shqiptare, duke u bazuar vetëm mbi energjinë e rinovueshme.
Shqipëria është ndër vendet e vetme që sot prodhon energji nga burime të pastra duke qenë në përputhje të plotë me të gjitha konventat dhe kriteret e Bashkimit Europian. “Në rrugën e transformimit të sektorit energjetik kemi ende shumë për të bërë drejt arritjes së objektivit që Shqipëria të kthehet në një vend eksportues neto të energjisë” ka thënë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në konferencën “Zbatimi i axhendës së gjelbër për prosperitet ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor” që po mbahet në Tiranë.