Pas luftimeve në zonën kufitare me Armeninë, Azerbajxhani konfirmoi vdekjen e shtatë ushtarëve.
Ministria azere e Mbrojtjes publikoi një listë me emrat e personave të vrarë të mërkurën.
Sipas informacioneve zyrtare nga republika e Kaukazit Jugor, 10 persona kanë mbetur të plagosur.
Armenia kishte njoftuar vrasjen e një ushtari në radhët e veta një ditë më parë.
Luftimet shpërthyen të hënën në të paktën dy pika në rajonin kufitar lindor të Armenisë me Azerbajxhanin.
Tensionet midis dy ish-republikave sovjetike janë rishfaqur që nga lufta e fundit në rajonin e diskutueshëm të Nagorni-Karabahut vitin e kaluar.
Në një luftë të shkurtër në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani kishte rimarrë pjesën më të madhe të Nagorni-Karabahut të pushtuar më parë nga Armenia.
“Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar nga dhuna e fundit përgjatë kufirit armeno-azer, që fatkeqësisht ka çuar në humbje jetësh”, theksoi në një deklaratë zëdhënësi i BE-së për Punët e Jashtme, Peter Stano.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel foli me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministrin armen Nikol Pashinyan, duke bërë thirrje që të reduktohet përshkallëzimi dhe të respektohet armëpushimi.

