Prej vitesh shqiptarët kërkojnë azil, madje edhe në kohë të pandemisë së Covid-19. Pas një rënie të fortë në prill dhe maj, aplikimet kanë shënuar tendencë rritëse në muajin qershor. Revista “Monitor”, raporton se në qershor, kur rifilloi dhe hapja graduale e fluturimeve dhe udhëtimeve nga toka, rezulton nga të dhënat e Zyrës Evropiane të Azilantëve (EASO), se kishte 394 aplikime për azil nga të cilat 73% ishin aplikime për herë të parë dhe pjesa tjetër riaplikime.
Në krahasim me muajin maj, kur kishte vetëm 90 aplikime në total, ka më shumë sesa katërfishim, transmeton Koha Jonë. Pavarësisht vështirësive për të lëvizur dhe faktit që shtetasit e Shqipërisë nuk u lejuan të udhëtojnë e fluturojnë në vendet e BE-së, në Qershor, sërish aplikimet për azil nga Shqipëria mbeten më të larta nga të gjitha shtetet e Ballkanit.
Në janar dhe në shkurt, kur situata e lëvizjeve ishte normale, mesatarisht kishte më shumë se 1000 aplikime në muaj për azil nga shqiptarët në një nga vendet e BE-së, ndërsa në qershor aplikimet arritën në gati 40% të nivelit të para krizës. Në total për 6 mujorin, rreth 3400 aplikime nga shqiptarët për azil, nga të cilat rreth 20% ishin aplikime.
EASO thekson se niveli i riaplikimeve nga Shqipëria është i lartë, ndonëse vendi renditet ndër shtetet me normat më të larta të mospranimit. Në krahasim me 6 mujorin e një viti më parë, aplikimet kanë rënë me 72%, si rrjedhojë e bllokimit të lëvizjeve pas pandemisë së Covid-19.