Pakësimi i sasisë së ujit në Liqenin e Badovcit ka zbuluar pjesë të tëra të luginës së thatë. As në këtë gjendje nuk është e mundur të pikasen mbijetojat e ndonjë vendbanimi parahistorik dhe as gjurmë gërmimesh arkeologjike, shkruan Koha Ditore.
Por një “qytet” i tërë arkeologjik duket të jetë historia e panjohur e Badovcit. Sado që një pjesë e kësaj historie është fundosur në thellësitë e ujëmbledhësit e kusuri tjetër nën shtresat e shumta të flotacioneve së xeherores aty afër, artefaktet e vetme ka kohë që nuk ndodhen në vend.
Tregimi që nis me tri sëpata mijëravjeçare
Tregimi për nëntokën arkeologjike të Badovcit nis me tri sëpata mijëravjeçare që ishin zbuluar rastësisht në fillim të viteve ’60. Me këto artefakte neolitike të përfshira në faqet e një albumi fotografik për Prishtinën e vitit 1964, arkeologu Haxhi Mehmetaj ka paralajmëruar për të panjohurat arkeologjike të liqenit që ndodhet 13 kilometra në juglindje të kryeqytetit.
Përmes një shkrimi të shpërndarë në media, i botuar në “Kohën Ditore” të hënën e kësaj jave, ai ka njoftuar se gjatë ndërtimit të pendës së liqenit ishin zbuluar gjurmët e një vendbanimi parahistorik. Sipas tij, bëhet fjalë për një vendbanim “të periudhës parahistorike të mijëvjeçarit të shtatë para lindjes së Krishtit (rreth 9000 vjet i vjetër)”.
Sipas arkeologut Mehmetaj, ky vendbanim përfaqësohet nga tri sëpata guri dhe nga gjurmë të blozës së shtresimeve arkeologjike.
“Sëpatat e gjetura u takojnë sëpatave të tipit të Lepenski Virit (vendzbulim në grykën e Gjerdapit), dhe dëshmojnë për përfaqësimin e epokës së protoneolitit, neolitit pa qeramikë, përkatësisht një faze ndërmjetësuese në mes të mezolitit dhe të neolitit të hershëm”, ka shkruar ai. “Edhe në shtratin e Liqenit të Badovcit, sikurse në rrethinën e liqenit gjatë gërmimeve arkeologjike dhe vëzhgimeve të terrenit, janë gjetur dëshmi të periudhës së bronzit, periudhës së antikitetit dhe të mesjetës. Kërkimet arkeologjike kanë dëshmuar që Liqeni i Badovcit me rrethinë është trashëgimi arkeologjike, e cila duhet të hulumtohet dhe të mbrohet”.