Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, ka dhënë disa mesazhe të forta të enjten nga Tirana, pas një takimi që pati me homologun shqiptar, Ilir Meta. Mesazhi i tij prekte një çështje të nxehtë të ditëve të fundit, që ka “ndezur” diskutime e debate, pas publikimit të disa dokumenteve të quajtura “non-paperë”, që flasin për ndryshim kufijsh në Evropën Juglindore.
“E dimë nga përvoja se ndryshimet e kufijve në këtë pjesë të Evropës nuk zhvillohen pa flijime. Besoj që ne udhëheqësit e kësaj pjesë të Evropës, por edhe krejt BE-ja, e kemi këtë obligim moral e politik që në këtë kohë që s’është e thjeshtë jo vetëm për shkak të COVID-19, por edhe të problemeve të brendshme të BE-së e edhe të Ballkanit, sot në këtë kohë të komplikuar të japim një ide të re se zhvillimi më të shpejtë. Nuk është kjo detyrë e lehtë”, deklaroi Pahor.
Presidenti i Sllovenisë, vendi i të cilit do ta marrë Presidencën e Bashkimit Evropian më 1 korrik të këtij viti, duke vënë theksin te rëndësia që ka për vendet e Ballkanit Perëndimor avancimi i mëtejshëm i procesit të integrimit në BE, tha se kjo do ta zvogëlonte dhe rëndësinë e debatit që është ngritur tashmë për kufijtë.
“Mendoj se zgjerimi i BE-së në Ballkan është jo vetëm gjeopolitik, por edhe i pazëvendësueshëm për paqen e stabilitetin e rajonit e të krejt Evropës”.
Presidentët Meta e Bahor kanë theksuar rëndësinë e realizimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e BE-së, si një nevojë e nxitje njëkohësisht në procesin e saj të integrimit euroatlantik. Sllovenia do të organizojë në ditët e ardhshme Samitin e Procesit të Brdo-Brijuni, që përkon me 10-vjetorin e kësaj nisme.
“Së bashku shprehëm mbështetjen dhe vlerësimin për zhvillimet në Kosovë dhe sidomos për rëndësinë e realizimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e saj nga ana e BE-së, si një nevojë e nxitje njëkohësisht në procesin e saj të integrimit euroatlantik. Gjithashtu, nënvizuam rëndësinë e vijimit të dialogut Kosovë–Serbi për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme nga të dyja palët. Me presidentin Pahor ndamë qëndrimin e përbashkët se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është vetëm në Bashkimin Evropian, nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë rajonal dhe distancimit nga e kaluara e hidhur”, deklaroi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
McAllister, kritik për vonesën në liberalizimin e vizave për Kosovën
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, njëherësh kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme, David McAllister, ka thënë se vonesat e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriut, si dhe mosliberalizimi i vizave për Kosovën, ulin besueshmërinë në Evropën. Gjatë një konference vjetore në Firence “State of the Union”, ku mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, McAllister tha se BE-ja duhet t’i mbajë premtimet.
“Pra, edhe ne duhet të tregojmë rezultatet tona, duhet t’i mbajmë premtimet tona dhe shpresoj shumë që ne në këtë mandat të vijojmë duke çelur kapituj të tjerë me Serbinë e me Malin e Zi, e më pas dhe çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë”, tha McAllister. Ai u ndal edhe te dialogu Prishtinë–Beograd, duke theksuar se përfaqësuesit e lartë të BE-së ia kanë bërë të qartë kryeministrit Albin Kurti se dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.