Ardhja e tekniku Sylvinho në krye të pankinës së Kombëtares sonë dhe krijimi i një grupi harmonik, me një stil dominues loje ka ndryshuar jo pak performancat e “legjionarëve” tanë, të cilët janë shumë pranë kualifikimit në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.
Loja spektakolare e “kuqezinjve” vihet re mjaft mirë në performancat në fushën e blertë, ku në përballjet e fundit arritën një barazim të rëndësishëm, 1 me 1, në Pragë ndaj Çekisë, si dhe mundën me rezultatin e pastër 2 me 0, Kombëtaren e Polonisë, në mitikun “Air Albania”.
Për golin e barazimit në Pragë, protagonisti absolut ishte “fantazisti” i mesfushës, Nedim Bajrami, i cili pasi driblon bukur 2 kundërshtarë lëshon një të djathtë potente drejt portës, duke na dhuruar kështu 1 pikë tejet të rëndësishme në “garën” e kualifikueseve.
Për këtë arsye, fanella e Bajramit është më e shitura nga fanellat e lojtarëve të Kombëtares në duelin përballë Çekisë, teksa për “numrin 10” të Kombëtares janë paguar plot 1727 euro, shifër kjo rekord për fanellën e një prej lojtarëve të “kuqezinjve”.