Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke iu drejtuar qytetarëve me fjalët se “a po e shihni? Qeveria e 51 përqindëshit iu ka braktisur”.
Bajrami tutje ka thënë se ZRRE-ja ka lajthitur me çmime në dokumentin konsultativ, pasi fillimisht janë dërguar komente për të hyrat deri në 132 milionë euro, por sipas saj, një ditë para se të ngritet çmimi, ZRRE-ja i ka rritur në 251 milionë euro të hyrat.
Ajo e ka sfiduar ministrin e Financave, Hekuran Murati, të publikojë listën e top 50 bizneseve që do të përfitojnë nga subvencionimi prej 90 milionë eurosh i Qeverisë për energjinë elektrike, pasi Murati kishte publikuar në fillim të vitit të kaluar listën e top 50 bizneseve që kishin përfituar më shumë nga Qeveria Hoti gjatë ndihmave pandemike.
“Mungesa e Qeverisë është evidente, kur po diskutojmë çështjen më të rëndësishme për qytetarët tanë. Kam dashur të flasë më shumë me ministren e Ekonomisë e kryeministrin sesa me qytetarët, të cilët janë në dijeni për pasojat e këtij vendimi. ZRRE-ja ka bërë shkelje jashtëzakonisht të madhe, jo vetëm që ka marrë vendim t’i dyfishojë tarifat, por i ka vu në lajthitje të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin, me dokumentin konsultativ. ZRRE i ka lejuar shtesë gjithë operatorëve 132 milionë euro të hyra, ku i kemi dhënë krejt komente në ato të hyra, më 7 shkurt ata më nuk i kanë 132 mln euro për operatorët, por i kanë plot 251 milionë të hyra. Ne kemi diskutuar dhe kemi dhënë komente bazuar në 132 milionëshin dhe ZRRE-ja një ditë para se të ngrisë faturat i ka ndryshuar të hyrat. Sipas ZRRE-së, Qeveria me 90 milionë vendos me subvencionu sektorin privat dhe barrën prej 161 milionë e len te 20 përqindëshi i qytetarëve apo 125 mijë familjeve. Shtrenjtimi i faturës do të prekë më shumë familje. E prek çdo familje që e ngroh edhe veç një dhomë me rrymë. A po e shihin? Qeveria e 51 përqindëshit iu ka braktisur, ajo ka vendosur me 90 milionë euro t’i paguajë rrymën bizneseve. Cilat biznese? A janë ato top 50 bizneset që i pati publikuar Hekuran Murati. A mundet sot ministri me dalë me publiku listën e top 50 bizneseve që përfitojnë nga subvencionimi 90 milionësh”, ka thënë Bajrami në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.