Gareth Bale po e konteston statusin e ri të Danimarkës si favorite e ndeshjeve të barabarta, përpara sfidës së 1/8 së finales në “Euro 2020”, të shtunën në Amsterdam. Ai përpiqet të rikrijojë rrugëtimin madhështor të Uellsit në Evropianin e vitit 2016, kur arriti deri në gjysmëfinale.
Danimarka kapërceu traumën emocionale pasi e pa mesfushorin Christian Eriksen, që pësoi arrest kardiak në fushë, gjatë ndeshjes së saj të parë të turneut kundër Finlandës, për të arritur fazat e nokautit falë një triumfi 4:1 ndaj të Rusisë, të hënën. Reagimi i lojtarëve danezë për të rrethuar Eriksenin ndërsa ai mori trajtim mjekësor në “Parken Stadium”, për ta mbrojtur atë nga kamerat, mori përgëzime nga e gjithë bota.
Bale është mes tyre, por uellsiani këmbënguli se kjo nuk mund të pengojë synimin e Uellsit që e ka përballë Danimarkën. Ai insistoi se Uellsi kërkon fitoren në këtë ndeshje për të vazhduar rrugëtimin në këtë turne.
“Ne e kuptojmë situatën që ndodhi me ta, ne ia kemi dërguar të gjitha urimet tona më të mira Christianit. Nuk duhet harruar as punën e shkëlqyeshme që bëri ekipi i Danimarkës me situatën e Eriksenit”, tha kapiteni i Uellsit, i cili shtoi se nuk ishte në dijeni të mbështetjes tani për Danimarkën nga e gjithë bota.
“Unë nuk e dija për këtë derisa dikush e tha tani, unë nuk jam në rrjetet sociale. Ne kemi qenë në situata kur ekipet janë favorite ose kanë më shumë mbështetje, kundër Turqisë në Baku ata kishin 18 mijë tifozë në stadium, kështu që kjo nuk bën asnjë ndryshim. Edhe ndaj Danimarkës do të futemi në fushë për të fituar. Ne jemi lojtarë dhe në fushë bëjmë vetëm punën tonë”.
Magjia njësezonale e Balet, që luajti në huazim te Tottenhami nga Real Madridi, ka marrë fund. Kur u pyet para turneut, 31-vjeçari tha se ai do të zbulonte planet e tij të ardhshme vetëm pas Kampionatit Evropian, pasi do të shkaktonte “kaos”. Kjo çoi në zëra që Bale mund të tërhiqej nga futbolli aktiv, por ai hodhi poshtë idenë se do të luajë ndeshjen e së shtunës sikur të jetë ndeshja e tij e fundit për vendin e tij.
“Nuk do ta luaj sikur të jetë ndeshja ime e fundit, sepse dua të kaloj në raundin tjetër”, shtoi ai. “Fokusi është në këtë lojë dhe jo në të ardhmen time”.
Tifozët e Uellsit janë zhgënjyer nga kufizimet e koronavirusit, që i pengojnë të shkojnë në kryeqytetin holandez për të përcjellë ndeshjen me Danimarkën.
Futbollistëve të përzgjedhësit Robert Page gjithashtu u është dashur të kalojnë numrin e tretë më të lartë të kilometrave në turne deri më tani, pasi kanë filluar me dy ndeshje në Baku para se të përballen me Italinë në Romë për ndeshjen finale të Grupit A.
“Është zhgënjyese për tifozët dhe lojtarët që ata nuk mund të jenë këtu me ne”, tha Page. “Ne nuk mund të ankohemi për këtë. Pas Bakus e Romës, jemi të gatshëm edhe për Amsterdamin. Nuk ka qenë e lehtë me protokollet e virusit, por ne jemi plotësisht të përgatitur tani dhe ne jemi gati për një betejë tjetër, të cilën duam ta fitojmë”.