Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i është përgjigjur sërish presidentit Ilir Meta për datën e zgjedhjeve.
Balla ripërsërit se Meta nuk ka asgjë në dorë lidhur me 30 qershorin dhe se mazhoranca do të respektojë dekretin e parë të nxjerrë prej tij.
“Dëgjova nga Presidenti Meta që ka qenë i sëmurë në këtë periudhe dhe nuk dëgjon mirë! I uroj në emër të Grupit Parlamentar shërim të shpejtë dhe meqë nuk dëgjon mirë po i’a shkruaj si Kryetar i Grupit: Zoti President ju nuk keni asgjë në dorë lidhur me datën e zgjedhjeve të dekretuar prej Jush. ZGJEDHJET DO TE MBAHEN MË 30 QERSHOR, në respekt të plotë të dekretit të nxjerrë prej Jush në respekt të detyrimit kushtetues që keni. Ndërsa çdekreti Juaj është një lajthitje antikushtetuese, që meriton të gjithë vemendjen e Parlamentit, të cilën do ta keni të plotë të enjten, ku do të miratojmë edhe Rezolutën përkatese lidhur me lajthitjen në fjalë. Të shkuara edhe njëherë Zoti President”, shkruan Balla.
Vendimi i Metës për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale është publikuar sot në Fletoren Zyrtare./TCh/