Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj debatit për Gjykatën Kushtetuese.
Ai i ka bërë edhe njëherë thirrje Presidentit Meta të zbatojë në mënyrë strikte Kushtetutën për anëtarët e kësaj gjykate.
“Kuvendi ka pasur ditën e premte një qëndrim. Kuvendi flet me rezolutë dhe citon qartë yllin polar të orientimit që duhet të kemi të gjithë. Zbatimi strikt i Kushtetutës dhe asnjë pengesë në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Më mirë një Gjykatë me pak anëtarë, sesa me shejtanin brenda. Kush nuk e beson Vetingun nuk e ka me Vetingun, por me Reformën në Drejtësi”, u shpreh Balla.
Ai apeloi që presidenti të reflektojë, ndërsa tha se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vepruar siç e përcakton Kushtetuta.
“I them Presidentit të reflektojë, t’i rikthehet zbatimit të Kushtetutës. KED ka vepruar sipas Kushtetutës”, u shpreh Balla.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, prej kohësh lëshon akuza kundër kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, për të cilin pritet të depozitojë edhe një kallëzim penal në lidhje me shkeljet që sipas tij ka kryer me listën e emrave për në Kushtetuese.
Kreu i Grupit Parlamentar socialist i bëri këto deklarata në aktivitetin e nisjes së raundit të katërt të Shkollës Europiane 2019, krijimi dhe organizimi i të cilës ka qenë një nga vendimet e para të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, i kryesuar nga Taulant Balla.
“Pavarësisht vendimmarrjes në nivel europian, – u shpreh Balla, – Shqipëria është e vendosur në rrugëtimin e saj të palëkundur për të çuar përpara procesin e reformave. Ky orientim është mbi të gjitha një imponim i qytetarëve shqiptarë të cilët në totalitetin e tyre, më shumë se 93%, e mbështesin procesin e integrimit europian si e vetmja zgjidhje për Shqipërinë. Ne nuk kemi Plan B, kemi vetëm plan A, sepse janë të bindur që reformat do të sjellin konsolidimin e demokracisë dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.
Axhenda e këtij raundi të Shkollës, është ideuar të mundësojë një trajnim të plotë mbi aspektet teknike të negociatave të anëtarësimit dhe sfidat në rritje të këtij procesi./ATSH/