Përjashtimi ish-Kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD, ka qenë një nga temat më të diskutuara të kohëve të fundit.
Pas largimit Berisha ka ndërmarrë nismën e ashtuquajtur ‘Foltore’, të cilën po e zhvillon në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Berisha do që të mblidhen 1500 firmat e nevojshme të delegatëve për të mbledhur Kuvendin Kombëtar.
Në lidhje me këtë, ish-deputeti i PD, Klevis Balliu, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, shprehet se do të mblidhen më shumë firma se sa kërkon statuti, pra më shumë se 1500.
Klevis Balliu: Rezulton qartë se jo vetëm që po mblidhen firmat e nevojshme por janë tejkaluar. Do mblidhen shumë më shumë firma se sa kërkon statuti. Më shumë se 1500 firma. Në historinë e kësaj partie një aksion brenda saj kaq entuziast kishte vite që nuk shihej. Firmat do të mblidhen,Kuvendi do të bëhet dhe vendimet do të merren. Qëllimi i kësaj lëvizje është i qartë: Pluralizmi brenda kësaj partie.
Vendimi i Bashës për përjashtimin e Berishës për Balliun, ka goditur jo vetëm pluralizmin brenda partisë por edhe vetë PD.
Klevis Balliu: Vendimi i Bashës ishte në shkelje të statutit duke goditur pluralizmin brenda partisë por edhe vetë PD duke krijuar një çarje dhe një dëm tejet të madh që e ka futur PD në një situatë tejet kritike. Berisha me anë të këtyre takimeve po bashkon Partinë, për të rikthyer demokracinë. Arroganca në opozitë garanton diktaturë në qeveri. Një lider të tillë ne e kemi, nuk na duhen dy.