Banorët e banesave që janë prishur ose pritet që të prishen në zonën e 5 Majit dhe në Laprakë në Tiranë, kanë kaluar ditët më të ftohta jashtë. Ditën e djeshme, tre prej përfaqësuesve të tyre ishin të pranishëm në emisionin e pasdites në ‘Syri.net’.
Banori Gjin Nikolli theksoi se nuk e ka të qartë të ardhmen e se nuk e di se çfarë do bëhet me të e banorët e tjerë. Banori Bekim Cerri vlerësoi se e kanë marrë zvarrë në polici, edhe pse ka qenë duke mbrojtur pronën e vet. Kurse, Bled Marku deklaroi se shteti ka devijuar projektin e Unazës së Madhe, pa pyetur asnjë banor.
Banori Gjin Nikolli: Ne ishim në rregull me ligjet e shtetit dhe gjithçka. Një ditë të bukur shteti tha se do të ndërtojmë e ju do të nënshkruani marrëveshje paraprake, pa datë, me hamendje. Deputeti Ervin Bushati na ka pritur e na tha se ajo që do bëhet është për interes publik. Kemi protestuar se nuk na lanë zgjidhje. Sot e kësaj dite nuk e dimë çfarë do bëhet me ne. Ngjitur me ne janë shembur shtëpitë, kurse neve na kanë ardhur lajmërime. Ka familjarë që rrinë jashtë në këtë të ftohtë. Konventa ndërkombëtare thotë se çdo person që posedon qoftë barake, nuk e nxjerr dot në rrugë të madhe. Aty thotë se nuk nxirret jashtë, pa pasur një strehë.
Bekim Cerri: Ne po mbrojmë pronat tona. Po veprohet me forcë kundër nesh. Ne ka katër muaj që protestojmë përditë. Të gjitha llojet e policisë ishin brenda. Mua më kanë marrë zvarrë, të merr të fut brenda e të mban disa orë brenda, më japin letër e më thonë se të kemi marrë për intervistë, kur më ke marrë.