Pakti i të enjtes mes banorëve dhe firmës që do të ndërtojë thertoren në Laknas u prish mëngjesin e të premtes.
Në orët e para të mëngjesit një eskavator u fut në zonë duke shkatërruar me dhjetëra pemë.
“Shteti është mbushur me hajdutë, deri në krye të qeverisë, bashki e komunë. I marrin për vetë paratë, populli ka mbetur si bagëtia pa bari.”
Banorët thonë se janë zgjuar që në orën 3 të mëngjesit për tu përballuir me mjetet e rënda që kryen punimet.
“Erdhën në 3 të mëngjesit si hajdutë duke u futur nga ana matanë lumit, me eskavatorë dhe dhunë. Nuk presin datën e gjyqit.”
“Gjithë Europa blen pemë dhe mbjell, ne i kemi 50 metra të gjata dhe ky do me i pre për thertore, për një individ.”
“Gjynah ta prishin, ne për ajër, pastrim, zbukurim këtë kemi.”
Por edhe pas kundërshtive të banorëve eskavatori u fut në pjesën tjetër të rrugës.
Kjo shkaktoi revoltën e qytetarëve ku është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën.
Herë pas here banorët provokoheshin nga punonjësit e firmës duke sjellë dhe përplasje fizike.
Ambjentalisti, Sazan Guri, së bashku me disa përfaqësues të banorëve ju drejtuan Bashkisë për të bërë një pakt të dytë, por në kthim thanë se janë kërcënuar me armë.
“U ndeshëm me një makinë, dy djem që kërcënuan dje me fjalë, sot ngritën pistoletat.”
Pas kësaj ambjentalisti me banorët bënë kallëzim në polici.
Sazan Guri kërkoi paqe dhe ndaljen e punimeve deri me 20 tetor kur do të jepet dhe vendimi i gjykatës për këtë çështje.
Ndërkohë policia e Kamzës shoqëroi në komisariat tre punonjës të firmës, mes të cilëve janë dhe dy agresorët e dyshuar që i drejtuan armën ambjentalistit dhe banorëve.
Por në polici është paraqitur dhe vëllai i pronarit të firmës që do të ndërtojë thertoren në Laknas, ndërkohë që banorët thonë se pyllin do ta mbrojnë dhe janë të vendosur të mos lejojnë punimet deri në vendimin e gjykatës.