Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama, i cili ishte në Elbasan, duke theksuar se “askush nuk mund të tallet me Elbasanin”.
“Edhe pse viziton Elbasanin, Edi Rama sërish refuzon të prekë realitetin e vërtitet me orë të tëra në sferën e tij imagjinare të sukseseve e mrekullive që i prek vetëm ai dhe miqtë që e shoqërojnë”,- thekson Bardhi.
Sipas tij, “pas 8 viteve të rilindjes, Elbasani është qarku më i varfër në vend, dhe 75 mijë qytetarë janë larguar për shkak të papunësisë, mungesës së shanseve, dhe braktisjes që i ka bërë qeveria qytetarëve. Asnjë investim dhe asnjë mbështetje për qarkun Elbasan në 8 vite”.
“Nëse do të shohësh si është gjendja, futu në çdo lagje të qytetit, apo në çdo fshat të kësaj zone. Pamundësi, skamje dhe të moshuar që luten mos të kenë halle me shëndetin se nuk përballojnë dritat, jo më spitalet”, shprehet Bardhi.
“Ato biznese që mbijetojnë, ia dalin falë punës së tyre, me administratën nëpër këmbë që u vë gjoba e u merr frymën. Të vetmet që po lulëzojnë, janë kurset private të gjuhëve të huaja, sepse rinia kërkon të largohet. Dhe sot që ti qendron me atë mikrofon në dorë pa ndalim, qindra të diplomuar po hyjnë e po dalin nga orët e gjermanishtes”,- vijon Bardhi.