Shifrat e korrupsionit dhe abuzimeve me fondet shtetërore që po hetohen nga SPAK në dosjet më të nxehta të momentit, dyshohet të shkojnë në miliona euro.
Por nga ana tjetër, kur pritshmëritë publike për rezultatet e institucionit që heton politikanët e korruptuar apo të përfshirë në krim të organizuar janë të larta, vetë SPAK është një faturë jo pak e “kripur” për taksapaguesit. Sipas burimeve zyrtare të institucionit, për vitin 2022, “barra” e parashikuar e SPAK në buxhetin e shtetit është gati 855 milionë lekë të rinj.
Pjesa me e madhe e këtij totali shkon për pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore të prokurorëve të posaçëm, agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gjithë punonjësve të tjerë të institucionit. Zëri i pagave për vitin 2022 është parashikuar 697 milionë lekë të rinj.
Për shpenzime operative, që nënkuptojnë kostot për të funksionuar dhe pasur eficensë të plotë në hetimin e krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë të përfshirë në krim fatura shkon në 128 milionë lekë.
Ndërsa shpenzimet për investime, kryesisht blerje pajisjeve elektronike, janë parashikuar në një vlerë prej 30 milionë lekë. Nga ana tjetër, gjatë vitit të kaluar SPAK ka përdorur edhe fonde financiare të siguruara nga vetë lufta kundër pasurive të krimit të organizuar.
Kështu, gjatë 2021 SPAK ka përfituar një fond prej 30.2 milionë lekë të rinj nga Agjencia e administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të konfirmuara. E gjithë shuma është përdorur për blerjen e pajisjeve të fjalës së fundit në laboratorin e ekspertizës teknologjike në SPAK.