“Unë zgjedh të kandidoj në qarkun ku jam votuar për herë të parë deputet dhe më kanë besuar detyrën e përfaqësimit në parlament, ku më kanë votuar kryetar të bashkisë së Tiranës”, deklaroi sot në një intervistë televizive, kryetari i PD-së Lulzim Basha, ndërsa theksoi se në qoftë se Edi Rama do ta sfidojë në qarkun ku ka humbur është i mirësepritur këtu dhe kudo tjetër.
Basha theksoi se, “kjo është zgjedhja ime. Në qoftë se Edi Rama do të më sfidojë në qarkun ku ka humbur është i mirësepritur këtu dhe kudo tjetër. Gjithsesi kjo është mbi të gjitha sfida që Shqipëria të fitojë dhe që Shqipëria të fitojë një gjë tashmë është e qartë për çdo shqiptar, pavarësisht prej bindjeve politike, duhet të largohet Edi Rama dhe do të largohet në 25 prill me votën e shqiptarëve”.
Pyetjes se si do të realizohen zotimet dhe angazhimet e tipit: paga 700 euro, 1 mijë euro, 1300 euro, Basha tha se pagat që u cituan janë mesatarja e pagave të rajonit, nuk ka asnjë premtim për mrekulli plani ynë, po ka normalitet, angazhim për normalitet i cili do të arrihet pikërisht duke mundësuar që edhe Shqipëria të ketë të njëjtat ritme të zhvillimit ekonomik si të gjithë vendet e tjera fqinje, dhe pse jo në të ardhmen edhe më mirë.
Në lidhje me pyetjen se a e përjashton një mundësi bashkëqeverisje me Edi Ramën nëse diktohet nga numrat apo rrethanat e caktuara, Basha tha se, “absolutisht e përjashtoj, për arsyen e thjeshtë, sepse pas 8 vite dështimesh nuk ke çfarë të presësh apo të kërkosh më nga i njëjti njeri, një njeri që ka pasur të gjitha pushtetet. Askush përveç Enver Hoxhës nuk ka pasur me shumë pushtete sesa Edi Rama dhe ka dështuar, nuk ka mbajtur një premtim të vetëm. Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa larguar Edi Ramën. Vetëm largimi i Edi Ramës i hap rrugë ndryshimit me anë të cilit fitojnë shqiptarët dhe fiton Shqipëria”.
Se çfarë do të bëjë Basha pas 26 prillit sa i përket çështjes së rindërtimit, ai tha se rindërtimi fillon me largimin e Edi Ramës.
“Edi Rama është ai që e ka mbajtur rindërtimin peng dhe e ka përdorur për interesa elektorale. Lulzim Basha nuk do ta përdorë për interesa politike rindërtimin dhe do të vendosë në veprim ato që kemi thënë prej ditës së parë që po të kishte pasur vullnetin do t’i kishte kryer tani. Shumë familje do të ishin në shtëpitë e rindërtuara në qoftë se do tu ishin dhënë paratë në dorë atëherë kur kërkuam t’iu jepeshin paratë në dorë, shumë të tjera mund të ishin në shtëpi të ndërtuara tashmë që shteti mund t’i blinte në vend që të përfshihej, siç është përfshirë në afera të tilla korruptive ku shohim miliona, dhjetëra-miliona euro që i jepen drejtpërdrejt pushtetarëve apo familjarëve të pushtetarëve ndërkohë që është dimri i dytë dhe shumica e atyre që kanë humbur banesat vazhdojnë të qëndrojnë në çadra. Pra një gjë është e sigurt që rindërtimi si çdo fushë tjetër, në qeverisjen time dhe në drejtimin tim do të marrë rrugë dhe nuk do të mbetet peng i agjendës politike apo i axhendës personale të kryeministrit”, tha ai./ATSH/