Vendimet e fundit ekstreme dhe antiligjore të qeverisë kanë detyruar opozitën që të mendojë për aksione më të forta politika. Kreu i PD-së, Lulzim Basha mblodhi dje kryesinë dhe ish-grupin parlamentar të PD-së nga ku paralajmëroi zhvillime intensive politike duke nisur nga nesër dhe në ditët në vijim.
Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të kryesisë, Basha u shpreh se zgjedhjet e parakohshme mbeten qëllimi kryesor i opozitës, ndërkohë që akuzoi qeverinë se po bën çdo përpjekje për të shmangur rekomandimet e Bundestagut gjerman. Kreu i PD-së tha se opozita ka gati platformën për reformën zgjedhore ndërsa shtoi se bllokimi i saj nga Edi Rama do ta detyrojë opozitën të ndërmarrë veprime të ashpra. Basha la të kuptohet se opozita po tenton me ndërkombëtarët për një zgjidhje të situatës, por nga ana tjetër, u kërkoi strukturave të partisë të jenë gati për çdo vendim.
“Po punojmë çdo ditë për zgjidhje politike, po punojmë çdo ditë që veprimet tona të jetë të koordinuara me partnerët ndërkombëtar që e kanë ndihmuar gjithmonë Shqipërinë, me përgjegjshmëri dhe në mënyrë të sinqertë. Por jemi gati dhe do duhet të jemi gati për çdo veprim, për çdo vendim”,- deklaroi gjatë mbledhjes së Kryesisë dhe ish-grupit demokrat, zoti Basha.
Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se situata në vend është kritike dhe se tragjedia e tërmetit, po shfrytëzohet nga kryeministri Edi Rama për të vijuar me afera korruptive dhe për t’i zënë gojën medias. Basha u shpreh se opozita nuk do të lejojë që vendi të mbahet peng nga një qeveri e paligjshme. Sipas Bashës, vendi është në rrezik, pasi Edi Rama ka goditur rëndë të gjithë shtyllat e demokracisë, drejtësisë dhe ekonomisë. “Vendi nuk mund të mbahet peng. Edi Rama ka goditur ekonominë. Edi Rama po godet çdo ditë e më shumë demokracinë. Edi Rama nuk mund të përdor fatkeqësinë e rëndë të 26 Nëntorit për qëllimet e tij politike për të bërë propagandë dhe për t’i ikur përgjegjësisë në të cilën e ka çuar vendin”,- tha Basha.
Kreu i PD-së u ndal edhe në dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji dhe miratimin e ligjit për censurën e medias. Sipas Bashës, akte të tilla tregojnë se Edi Rama nuk ndalet më para asgjëje. Në këto kushte, Basha u ka bërë apel drejtuesve të strukturave të jenë gati për të reaguar, në varësi të situatës. “Ne duhet të jemi gati për çdo vendim të rëndësishëm, si Kryesi dhe Grup Parlamentar, pa përjashtuar asnjë mjet, pa u ndalur përpara asgjëje. Ne do t’i prijmë qytetarëve dhe nuk do të lejojmë që vendi të rrëshkasë në greminë. Shqiptarët na kanë besuar misionin për të ndalur të keqen dhe në jemi gati për ta bërë këtë. Me çdo mjet dhe me çdo formë”, – deklaroi kreu i PD-së.
Takimi i djeshëm i Lulzim Bashës me kryesinë dhe grupin e PD vjen pas vendimeve antiligjore të qeverisë me miratimin e ligjit të medias dhe dënimit të ish-deputetit të PD. Pas akteve të fundit që tregojnë për shkelje flagrante, opozita ka ndryshuar strategjinë në raport me qeverinë. Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë televizive vuri theksin në nevojën e reagimit qytetar dhe anagazhimit të opozitës për të denoncuar qeverinë dhe aktet e fundit të saj. Presioni për zgjedhje të parakohshme, të cilat do të zgjidhnin ngërçin politik të krijuar nga mungesa e institucioneve legjitime, mbeten objektivi kryesor i opozitës. Monika Kryemadhi kërkon reagimin qytetar të prirë nga opozita, pasi vendi po rrëshqet në greminë prej kryeministrit që nuk njeh asnjë parim e rregull demokratik/Koha Jonë.