Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shpërndau një postim të Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për prioritetet kyçe të Samitit të Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor: sundim i ligjit, vlera demokratike, luftë kundër krimit të organziuar dhe korrupsionit.
Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e Bashkimit Europian kundër COVID-19 dhe për solidaritetin për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, Basha theksoi rëndësinë që kanë zbatimi i prioriteteve kyçe të Samitit të Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Gjatë Samitit të EPP në Zagreb rikonfirmova angazhimin e PD për procesin jetik të integrimit europian dhe udhërrëfyesit rë qartë prej 15 kushtesh. E ardhmja jonë europiane varet nga zbatimi i këtyre kushteve”- u shpreh kreu i opozitës.
Sipas Partise Demokratike qëllimi kryesor i tyre janë zgjedhjet e lira e të ndershme, të pandikuara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar me mbështetjen e qeverisë aktuale.
Për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirisë së medias foli dje pas Samitit të Zagrebit edhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel.