Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pati një bashkëbisedim me minatorët e Bulqizës, të cilët u shprehën se zgjidhjen e problemeve 30-vjeçare e shohin tek kreu i opozitës.
Basha theksoi se ka kërkuar falje që nuk arritëm ta miratonin në qeverisjen e PD, por u dha besën të gjithë minatorët e Shqipërisë, se pas ardhjes së tij në pushtet, do garantojë minimalisht standardet europiane.
“Unë punoj 25 vite në minierë dhe më kanë larguar nga puna në mënyrë të padrejte sepse kërkuam të drejtat themeltare të një minatori dhe ne kemi besimin tek ju që të miratoni statusin e minatorit sa të vini në pushtet. Sepse minatorët e Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë janë gënjyer nga qeveritë e mëparshme këto 30 vite dhe kemi besimin tek ju si kryeministër i ardhshëm” – u shpreh një nga minatorët.
Basha u zotua se qeveria e tij e ardhshme do të miratojë statusin e minatorit dhe të naftëtarit brenda 6 muajve të parë.
Kryedemokrati tha se ky nuk është premtim fushate por zotim i tij, pasi në programin e Partisë Demokratike është përllogaritur edhe burimin i financimit se si do të bëhet i mundur statusi i minatorëve dhe i naftëtarëve.
Basha: I gjithё vendi dhe e gjithё Shqipёria duhet tё përfitoj nga nafta dhe mineralet. Pa pikë diskutimi, gjithë shqiptarët do të fitojnë, por s’ka si të mos përfitojë komuniteti ku ndodh aktiviteti mineral nxjerrës apo naftë nxjerrës, e në veçanti ata që rrezikojnë jetën e tyre, shëndetin e tyre, që jeni ju minatorët shqiptarë e naftëtarët shqiptarë. Kështu që, bazuar mbi këto gjëra që janë të qarta si drita e diellit, ne kemi përllogaritur prej më shumë se 6 muajsh koston financiare dhe sa e përballueshme do të jetë kjo.
Dhe kemi evidentuar burimet nga të cilat do të paguhet fatura për të garantuar statusin e minatorit duke përfshirë këtu edhe statusin e minatorëve që kanë dalë në pension, si dhe për të garantuar daljen në pension në mënyrë të diferencuar, në përputhje me vështirësitë dhe me imponimet që i bën shëndetit dhe jetës së minatorit puna nën tokë në kushtet e nëntokës.
Pra brenda 6 muajve, në dialog me ju, statusi do të miratohet. Do të miratohet dhe përndryshe juve ju lind e drejta të reagoni me të gjitha format dhe mënyrat. Unë përmenda një metaforë atje, thashë, siç do ta heq traun, ashtu ju lind drejta ju t’i vendosni traun çdo qeveritari në qoftë se ky zotim që unë ju jap sot, që është pjesë e planit tonë, nuk përmbushet. Ndaj dhe ftesa ime ndaj të gjithë minatorëve shqiptar është, hidhni hapin e bashkimit me Partinë Demokratike, me programin tonë.
Më herët gjatë vizitës së tij në Burrel, Basha deklaroi se shqiptarët e kanë ndarë mendjen që të votojnë për opozitën më 25 prill.
Basha: Po fryn era e ndryshimit, pas 8 vitesh më shumë se kurrë rraskapitje, varfëri dhe papunësi, shqiptarët e kanë ndarë mendjen. Të rinj e të reja, burra dhe gra. Problemet kanë zgjidhje tek programi i PD. Kemi vetëm një qëllim, ta kthejmë Shqipërinë tek pronarët e saj të vërtetë. Më 25 prill ky bashkim i madh shpirtrash, i duhet dhënë përgjigje vetëm një pyetje, a mund të vazhdohet më kështu? A do ja hapni derën për herë të tretë? Të bashkohemi për ndryshim.
Të votojmë për familjet tona, për fëmijët, të votojmë numrin 9. Për ndryshimin. 8 vite vendnumëro, pa negociata, apo do më jepni mundësinë të hapim rrugën drejt Europës. Standarde europiane siç i meriton Mati, Dibra e gjithë Shqipëria. Jemi të ndryshëm në këto bashkime të mëdha, por një gjë na bashkon, etja për ndryshim. Le të ushtojë nga kjo trevë që i nxori theemluesit e shtetit modern shqiptar, të ushtëoj thirrja bashkë për ndryshim. Të djathtë e të majtë, bashkë për ndryshim. Shqipëria fiton!