Basha i reagon Ramës: Shqipëria ka për detyrë të mbështesë Kosovën

albnews
By
5 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka folur për mospajtimet mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë rreth nismës për “Ballkanin e hapur” dhe ka arsyetuar mbështetjen për të, atij i ka reaguar lideri i PD-së, Lulzim Basha. Sipas Bashës, për Shqipërinë do të ishte e udhës të fokusonte të gjitha energjitë te Procesi i Berlinit, te thithja e fondeve të vëna në dispozicion dhe në përkrahjen për Kosovën si shtet i barabartë mes shteteve te rajonit, në çdo marrëveshje e dokument

Bashkëpunimi rajonal nuk mundet kurrë të nisë nga Novi-Sadi, por nga Mitrovica, shqetësimi ynë duhet të jenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, siç janë për Vuçiqin serbët e Kosovës. Kështu ka komentuar lideri i PD-së, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, rreth nismës “Ballkani i hapur” dhe marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me Albin Kurtin e Aleksandar Vuçiqin.

“Marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësia e mirë ngrihen mbi baza proporcionaliteti dhe jo vasaliteti”, ka deklaruar Basha, për të shtuar se pas çdo fotoje që Vuçiq bën me Ramën maskohet ambicia e tij për atë që ai e quan “bota serbe”.

“Çfarë e motivon përbuzjen e Procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania dhe që ka mbështetjen politike e financiare të BE-së, vendeve kryesore anëtare të Unionit e që mbledh së bashku të gjitha vendet e Ballkanit, dhe çfarë të detyron të investohet kaq fort në një iniciativë paralele të krijuar në Novi-Sad e si autoritetin më të lartë ka Vuçiqin?”, ka pyetur Basha.

Sipas Bashës, për Shqipërinë do të ishte e udhës të fokusonte të gjitha energjitë te Procesi i Berlinit, te thithja e fondeve të vëna në dispozicion dhe për t’i dhënë Kosovës vendin që i takon, si shtet i barabartë mes shteteve te rajonit, në çdo marrëveshje e dokument.

“Por, ti ke prioritet iniciativën e Novi-Sadit, e cila mbahet mend veç për sulmet që ti i bën lidershipit të Kosovës sa herë mblidheni për resmen e rastit dhe për turpin tënd edhe kur në krah keni iniciatoren e Procesit të Berlinit, siç ndodhi 2 ditë më parë… Dhe Pas çdo resme që Vuçiq bën me ju, maskohet ambicia e tij për atë qe ai e quan “bota serbe”, fshihet spastrimi etnik i Luginës së Preshevës përmes pasivizimit të adresave, privimi që iu bën shqiptarëve të tri komunave, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të së drejtës për t’u punësuar e zhvilluar ekonomikisht, fshihen ambiciet për të kontrolluar dhe tollovitur Malin e Zi, siç ndodhi pak kohë më parë kur kërcënoi luftë civile. E reagimi yt ndaj kësaj sjelljeje janë sulmet ndaj liderëve të Kosovës, që refuzojnë një gjë të tillë”, është shprehur Basha.

E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në seancën e Kuvendit, teksa ka pasqyruar programin politik për mandatin e tretë qeverisës 2021-2025 është ndalur gjatë në politikën e jashtme. Rama mori në mbrojtje nismën “Ballkani i hapur” dhe theksoi se kjo iniciativë është në kuadër të Procesit të Berlinit dhe nuk përmban asgjë më shumë sesa përmbushja e katër lirive themelore të Shengenit. Kundërshtitë e Kosovës për këtë nismë, Rama i cilësoi si të nxitura dhe theksoi se të dyja vendet duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, por nuk duhet të ndërhyjnë në vendimet e brendshme të qeverive respektive.

“Ballkani i hapur nuk është lojë e Serbisë, dhe as konspiracon rus apo kinez për të ringjallur Jugosllavinë. Nuk është assesi devijim nga rruga e anëtarësimit në BE apo nga kornizat e Procesit të Berlinit. Të gjitha këto janë përralla me gogol për të treguar pranë zjarrit digjital në një luftë nga kolltuku e nga Facebook me një armik të deridjeshëm, të cilin Kosova e Shqipëria e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale me bomba e pushkë, sot e 20 e kusur vjet përpara falë SHBA-së e UÇK-së”, tha Rama.

Sipas tij, u takon autoriteteve të Kosovës të marrin vendimin.

“Ama e njëjta gjë vlen dhe anasjelltas. Për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë, edhe ata duhet të respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë vendimet e njëri-tjetrit t’i diskutojmë vëllazërisht me mendje të hapur, por kurrsesi t’i shpallim si rusokinez e nostaligjiko sllav ata që mendojnë ndryshe.

Share This Article