Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka kërkuar votën e banorëve të Unazës së Re me 25 prill me premtimin se do të anulojë çdo projekt që është hartuar në kundërshtim me ligjin. Ndërsa kërkon nga mbështetësit demokratë që deri ditën e zgjedhjeve të bindin sa më shumë socialistë të zhgënjyer për të votuar opozitën.
Politika nuk ndalet as në ditë festive për të vijuar me takimet elektorale. Gjatë të dioelës së Pashkëve, kreu demokrat Lulzim Basha ka zhvilluar një bisedë me banorët e Unazës së Re, të cilët shprehen shqetësimin për projektin e devijimit të lumit të Lanës.
Banori: Jemi pro projektit por kundër devijimit, nuk duhet të ndodhë ky devijim.
Basha: Pushtetarët dhe mafiozët janë bërë bashkë për të grabitur pronat.
Kandidati për kryeministër i opozitës në premtimet e tij elektorale ka përfshirë edhe zhbërjen e të gjitha projekteve, që sipas tij, janë bërë nga qeveria e Edi Ramës në kundërshtim me ligjin.
Basha: Do ti qëndroj pikë për pikë marrëveshjes me familjet e cenuara nga afera korruptive e Unazës së Re. Sot jam në mesin tuaj edhe për të thënë diçka tjetër, paratë që do t’u paguhen me vlerën e tregut për pronat e prishura me padrejtësi. Si çdo dëm tjetër i shkaktuar nga Edi Rama, përfshirë edhe atë faturë 110 milionë euro që do ta nxjerrë nga xhepat shqiptarëve. Ne, një nga ligjet e para që do kalojmë është që këto para do ti nxjerrim nga çdo pasuri e pushtetarëve që shkaktuan këto dëme. Nuk ka rëndësi nëse i kanë kesh, konto bankare të fshehura. Do tua gjejmë në bashkëpunim me partnerët strategjik në çdo cep të globit.
Ndërsa premtoi se me ekspertët e tij do të përshpejtojë procesin e rindërtimit.
Basha: Detyra tjetër është të përshpejtojë procesin e rindërtimit dhe ti japë fund krimit tjetër të Edi Ramës që i la dy dimra rresht familjet shqiptare të dëmtuara nga tërmeti në mëshirën e fatit.
Socialistët e zhgënjyer janë në fokusin e demokratëvë, pasi sipas Lulzim Bashës, me 25 prill opozita ka nevojë edhe për votën e tyre.
Banori: Kam qenë një njeri i majtë dhe jam totalisht i zhgënjyre me këtë qeveri.
Basha: Vota juaj nuk do të jetë thjesht votë për një parti politike do të jetë votë për familjen tuaj, do të jetë votë për ti ndëshkuar ata që nuk mbajtën premtimet dhe për të na dhënë ne mundësinë për të korrigjuiar gabimet e tyre. Ne nuk do ta ndajmë Shqipërinë të majtë dhe të djathtë.
PD së bashku me aleatët e saj kërkon që me 25 prill të largojë Edi Ramën nga qeveria për të ardhur në pushtet pas 8 vitesh në opozitë.

