Lideri i PD-së, Lulzim Basha i ka komunikuar eurokomisionerit Oliver Varhelyi se kodi zgjedhor i votuar të hënën, ka shkatërruar themelet e marrëveshjes së 5 qershorit.
Kështu lajmëron kryedemokrati, i cili përmes një statusi në rrjetin social, ka dhënë detaje në lidhje me takimin që ka patur me eurokomisionerin për zgjerim.
Postimi i Bashës:
Pata kënaqësinë të pres sot Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Pasi e falenderova për ndihmën e jashtëzakonshme që BE i ka dhënë Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë e informova për situatën tejet të vështirë ekonomike dhe korrupsionin që po i varfëron gjithnjë e më shumë shqiptarët dhe po mban larg investitorët e huaj. Në këtë situatë të vështirë ndihma e BE-së është jetike për të rritur mirëqenien dhe mbështetur sipërmarrjen.
Me Komisionerin e Zgjerimit diskutuam dhe për reformën zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që shembi themelet mbi të cilat u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Gjatë bisedës i bëra të ditur zotit Varhelyi se reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës. PS duke e ditur se ndryshimet janë në kundërshtim me praktikat e mira të zgjedhjeve refuzoi marrjen e mendimit të OSBE/ODHIR. Për herë të parë në Shqipëri u shkelën praktikat konsensuale mbi të cilat janë kryer reformat zgjedhore deri më sot. Ky akt cënon rëndë standartin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit.
E sigurova Komisionierin Varhelyi se për Partinë Demokratike dhe Opozitën e Bashkuar mbetet prioritet integrimi europian i Shqipërisë dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të jetojnë si europianë në vendin e tyre”, shkruan Basha.