Kreu i PD-së Lulzim Basha ka dhënë edhe një përgjigje për deklaratat e Ramës që foli për një plan të përbashkët për të çuar Lëvizjen Socialiste për Integrim për skrap. Basha tha se Rama është i lodhur dhe se çfarë thotë sot nuk e thotë nesër.
Kreu i PD theksoi se nuk do të merret më me të por me të ardhmen dhe se bashkë me LSI-në dhe partitë e tjera do e largojnë dhe më pas do nisë zbatimi i planit të punës.
“Është kaq i lodhur që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër. Sa herë do ta kapni duke gënjyer, shumë shpejt do të thotë të njëjtën gjë në darkë, në mëngjes do ta përgënjeshtrojë. Nuk mban më Rama, është e shkuara, ka mbaruar. Ndaj nuk po merrem më me të. Tani do merremi me të ardhmen. në të ardhmen koalicion që do të drejtoj me LSI dhe partitë e reja, hapi i parë largimi i Ramës dhe më pas do nisim zbatimin e planit tonë të punës, që do të sjellë normalizim, shanse dhe mirëqenie për çdo shqiptar. Nuk kam premtuar dhe premtoj mrekulli, por marr angazhime”, deklaroi Basha.