Kryetari i PD-së Lulzim Basha, është takuar me banorë të ish-Uzinës së Autotraktorëve që kanë probleme me legalizimin dhe shtëpitë e prishura.
Duke u kujtuar premtimet e Ramës para 8 viteve për legalizimet, Basha tha se qeveria ka bërë të kundërtën e asaj që tha.
Ai u zotua se qeveria e ardhshme do të shpërblej të gjithë familjet që u janë prishur shtëpitë në shkelje të ligjit si dhe në ato raste kur punët publike do të kërkojnë shpronësime, ato do të bëhet me vlerën e tregut.
Ai gjithashtu u premtoi banorëve ndërhyrje në infrastrukturën e kësaj zone, e cila është lënë në harresë nga qeveria.
“Problemet kryesore kudo nё Tiranë e nё Shqipëri nuk ka nevojë t’ua tregoj unё se unё kam qenё nё shtëpitë tuaja, kam qenё nё ato dyqane, nё ato biznese tё vogla por dhe tek prodhuesit e mëdhenj dhe e dinё fare mirё se çfarë po ndodh. Taksat janë rritur, çmimet janë rritur, kosto e jetesës ёshtё bёrё e papërballueshme, rinia po largohet pёr shkak tё vendeve tё punës dhe gjithё kjo krizë ka ardhur si rezultat i dështimeve tё këtyre 8 viteve. Pёr 8 vite me radhë megjithëse premtoi se dhe po tё çoheshe Enver Hoxha prej varri nuk do i prekte shtëpitë e shqiptarëve, kjo qeveri dhe ky kryeministёr kanё krejtësisht të kundërtën. Kështu ka ndodhur edhe me shumë familje që e kanë pësuar edhe në këtë zonë dhe unë dua në radhë të parë t’ju siguroj se i qëndroj 100% atij zotimi që kam marrë para 5 vjetësh. Ju siguroj që do të bëj gjithçka që këto para të mos paguhen nga taksat e shqiptarëve, por nga pasuritë e atyre që këto 8 vjet kanë zhvatur, kanë zhvatur buxhetin e shtetit, kanë zhvatur pasuritë e shqiptarëve. Pushtetarët e korruptuar të parët nga i pari tek i fundit edhe ortakët e tyre. Unë ju garantoj që asnjë familje e vetme në këtë zonë nuk do të vuaj më siç ka vuajtur këto 8 vite padrejtësitë e Edi Ramës. Ju kujtoj edhe njëherë shembullin e atyre familjeve në Bulevard ku ka dy shembuj. Shembulli i parë kur i morën paratë edhe pse s’kishte përfunduar procesi i legalizimit dhe arritën të sigurojnë një strehë tjetër për familjet e tyre që është mënyra e duhur se si politika e drejtë zgjidh një problem apo një ngërç dhe shembullin e dytë kur i flaku në mes të rrugës dhe i futi gazin lotsjellës fëmijëve pesë vjeç duke fjetur në orën gjashtë të mëngjesit dhe i la ata njerëz në mes të katër rrugëve”, tha ai.
Në fund, Basha theksoi se “sot është dita për t’ju thënë që më 25 Prill atë ndjesë që ju kam kërkuar që nuk e përfunduam procesin e legalizimit unë e konsideroj detyrë për ta çuar atë proces deri në fund në mënyrë që të gjithë ju të përfitoni legalizimin që është vonuar me të padrejtë dhe në shumë raste për të cilin keni paguar në të bardhë e në të zezë e s’keni marrë atë që meritoni. Ky është zotimi që kam para jush si kryeministër i ardhshëm”.