Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, firmosi një marrëveshje me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar. Ai tha se pas 8 vitesh ngecje ka ardhur koha që fermerët dhe agropërpunuesit shqiptarë të mbështeten me programe serioze.
Sipas liderit të opozitës ky është sektori më jetik për ekonominë kombëtare dhe ndryshimi më 25 prill dhe marrëveshja, është garancia e qeverisë së ardhshme.
“Jemi këtu, pra, për të finalizuar një marrëveshje që vjen pas 8 vitesh bashkëbisedim të hapur, që ka ndodhur në ambientet e tuaja të punës, në arat dhe serat e fermerëve, në stallat e blegtorëve, në molet e peshkatarëve, në impiantet e përpunimit të industrisë, të agrobiznesit. 8 vite në të cilat ne kemi prekur dhe ndjerë nga afër shqetësimet dhe hallet, problemet e shtuara dhe ngecjen në vendnumëro e shpeshherë falimentimin dhe ecjen prapa të një sektori jetik për ekonominë kombëtare. Për çdo euro që qeveria e re shqiptare do të çojë tek fermeri shqiptar, do të kemi të paktën 1 euro ose më shumë nga Bashkimi Europian. Në këtë mënyrë do të arrijmë të subvencionojmë fermerin shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejtë, mbështetja do të jetë direkte tek fermeri, pa burokraci, duke përdorur modelet më të avancuara për të shmangur abuzivizmin dhe kontaktin me administratën. Në këtë mënyrë do të bëjmë të mundur që prodhimet tona cilësore, që janë krenaria jonë e duhet të jenë krenaria e ekonomisë tonë, të përbëjnë një bekim edhe për konsumatorin në kuptimin e cilësisë dhe çmimit, edhe për prodhuesin në kuptimin që në vend që të zhytet siç është sot në fakt, në borxhe, të krijojnë mirëqenie personale, familjare, ta kthejnë në një sipërmarrje aktivitetin e tyre si fermerë edhe për industrinë e lidhur me të. Pra, në një bekim për ekonominë shqiptare. Nëse zotimet nuk përmbushen, unë nuk do të kërkoj një mandat tjetër!”, tha Basha.
Pas këtij takimi Basha mbajti tubimin përmbyllës elektoral në Vlorë, nga ku tha se vlonjatët dhe të gjithë qytetarët shqiptarë do të përqafojnë ndryshimin në 25 prill.