Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thirrur në një mbledhje ditën e sotme 3 forume të selisë blu: Grupin parlamentar, Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve.
Ky takim vjen në një kohë kur Bashës, në unison, i është kërkuar që të japë dorëheqjen. Gazetarja e Tv Klan, Jolldiz Mitro, raportoi gjatë një lidhje për edicionin informativ se pritet që sot të ketë një vendim nga kryedemokrati, pasi ky i fundit kërkoi disa ditë kohë për ta marrë.
Gazetarja u shpreh se dy janë skenarët se çfarë pritet që të ndodhë. Basha mund të japë dorëheqjen dhe drejtimin e partisë ta bëjë një grup deputetësh që do të negociojnë edhe me Komisionin e Rithemelimit. Skenari i dytë është që nëse Basha nuk jep dorëheqjen të fillojë mbledhja e firmave për ta larguar si deputet nga grupi parlamentar i PD.
“Kam arritur të mësoj nga burime brenda takimit që do të zhvillohet në orën 17:00 të pasdites se ky takim i kryedemokratit me 3 forume të PD do të nisë me një fjalë të tij. Më është thënë që kjo fjalë e Lulzim Bashës, mund të jetë e hapur për mediat. Nuk di të them nëse Lulzim Basha do të japë ose jo dorëheqjen si kundër vënë është vënë përpara ultimatumit të deputetëve të grupit parlamentar, por dy janë skenarët:
Që Lulzim Basha mund të japë gjatë ditës së sotme, dorëheqjen dhe drejtimi i partisë të merret nga një grup deputetësh që do duhet të negociojnë edhe me palën tjetër të demokratëve, Komisionin e Rithemelimit për ta çuar PD në zgjedhje dhe skenari i dytë është nëse Lulzim Basha nuk do të japë dorëheqjen, atëherë sikundër kanë paralajmëruar edhe deputetët e grupit parlamentar si një pjesë e anëtarëve të Kryesisë, do të fillojnë të mbledhin firmat për të kërkuar më pas edhe largimin e tij si deputet nga grupi parlamentar i PD”, u shpreh Mitro.