Në ditën e përkujtimit të tyre, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nderoi dëshmorët e atdheut.
Fillimisht kreu i PD vendosi kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, tek Varrezat “Dëshmorët e Kombit”, si dhe u përkul me nderim përpara përmendores së Azem Hajdari.
Kreu i opozitës vendosi një kurorë me lule edhe në nderim të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish-ambasadën sovjetike, në simbol të nderimit të opozitarizmit dhe shprehjes së lirë.
Ky 5 maj, i kremtuar pa ceremonitë e zakonshme për shkak të Covid-19, ishte një rast që Kryetari i Partisë Demokratike të vendoste lule në nderim të kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës në Afganistan, në një mision të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në NATO.
Kreu i opozitës nderoi gjithashtu të rënët në luftën për çlirimin e Kosovës, të cilët prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe vendosi lule në varrin e Dëshmorit te Atdheut Skerdilajd Llagami, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës./TCH/