Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u takua me qytetarë e biznese të zonës së Njësisë Administrative 7 në Tiranë, ku dëgjoi prej tyre hallet, problematikat dhe gjendjen e vështirë ku ndodhen, sipas tij, pas 8 vite qeverisje të Edi Ramës.
Kryetari i PD, pasi i dëgjoi shqetësimet e tyre, tha se gjendja është e rëndë por qeveria e tij që do të dalë pas 25 prillit ka një plan që ndihmon biznesin, qytetarët dhe shpëton ekonominë nga rrënimi.
“Ka 8 vite që qeveria s’ka bërë asnjë gjë për këta njerëz, absolutisht asgjë. E del tani që po i vjen fundi e thotë edhe unë s’jam i kënaqur. Në fakt vetëm ai dhe një grusht njerëzish duhet të jenë të kënaqur se kanë fituar miliona në kurriz të shqiptarëve”, tha ai.
Po ashtu, Basha shtoi se ne “kemi dalë më një plan për të ndihmuar biznesin. Se po qe biznesi mirë do jenë gjithë njerëzit mirë, do jenë punonjësit mirë, do jenë familjet e tyre mirë, mirë do jenë të punësuarit. Ju që punoni me djersën e ballit dhe nuk keni parë një ditë të bardhë këto 8 vite, që jetoni me frikën dhe terrorin e shtetit, nesër do ta keni shtetin në krahun tuaj nuk do ta keni kundër siç e keni pas deri sot. Të jemi gjithë bashkë, që 25 prilli të jetë fitorja e të gjithëve, jo vetëm e imja, e të gjithë Shqipërisë”.