Basha në Radio Vatikan: Shqipëria në udhëkryq, integrimi është bllokuar; flet dhe për inceneratorët

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Gjatë qëndrimit në Itali, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një vizitë në Vatikan, ku dha dhe një intervistë për radion e këtij shteti.

Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendet, Basha u shpreh se Shqipëria tashmë ndodhet në një udhëkryq dhe prej 8 vitesh nuk ka bërë asnjë hap përpara drejt procesit të integrimit. Sipas kreut të demokratëve, vendi ka nevojë për ndryshim.

 “Padiskutim ajo që shqiptarët meritojnë, presin me padurim, është një ndryshim rrënjësor i kulturës politike në vend. Që nga koha kur valët  e radio Vatikanit ia dolën pas 4, 5 dekadash, së bashku me valët e Zërit të Amerikës, të radio Londrës, të radios Europa e Lirë, të ndihmonin shqiptarët, të çanin perden e hekurt, e të hiqnin zgjedhën e diktaturës, çka e kremtuam edhe dje, e përkujtuam edhe dje me rastin e 31 vjetorit  të rënies të shtatores së diktatorit, rrëzimit të shtatores së diktatorit në Tiranë, Shqipëria ndodhet përsëri në udhëkryq.

Kemi më shumë se 8 vite, që nuk hedhim hapa përpara atij që e kemi shpallur, pavarësisht bindjeve politike apo krahëve politik, të cilëve u përkasim, si një destin dhe qëllim të përbashkët. Integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Anëtarësimi i vendit në BE, nuk është një proces firmosje letrash, as një proces burokratik, është një proces arritje që kryhet përmes reformave”, tha Basha.

Kreu i PD foli gjithashtu në Radio Vatikan dhe për aferën e inceneratorëve, e cila sipas tij ka çuar taksat e qytetarëve në duart e një grupi të korruptuarish.

 “Çfarë po tregon afera e inceneratorëve që po hetohet në këto momente në Tiranë është që dhe në kohën kur njerëzit kishin më shumë nevojë se kurrë për ndihmën e shtetit, takstat që ata i paguanin shtetit, përfundonin në duart e një grushti njerëzish të korruptuarish, pushtetarësh dhe aksesorësh tyre. Ajo që mund të them është se, kemi shumë shumë punë për të bërë”, tha mes të tjerash Basha.

Share This Article