Destinacioni i radhës i fushatës përmbyllëse të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte Selenica.
Në fjalën e tij para qytetarëve, Basha tha se e keqja largohet me votë, korrupsioni largohet me votë, mashtrimi e dështimi largohet me votë. Për këtë, kreu i opozitës u shpreh se vota për numrin 9 është shkon për infrastrukturën, për fermerët, për subvencionet, dhe mbi të gjitha për dinjitetin.
“Ju jap fjalën, ne do ta bëjmë urën realitet brenda dy viteve të para dhe Selenica nuk do të jetë më një ishull i izoluar por një qendër e fuqishme që lidh bashkë krahinat më krenare të jugut, Mallakastrën, Vlorën, gjithë këto fshatra të bukura me prodhime të jashtëzakonshme. Dhe po kështu këtë rrugë që zgjati 5 herë më shumë seç duhet të zgjaste, të premtuar dhe të stërpremtuar, dhe po kështu lotët e premtuara përsëri tani pas 8 viteve nga njeriu që bredh me 3D nën sqetull, me thesin e renave në shpinë, në 25 Prill Selenica ndahet nga 8 vite dështim”, tha ai.
Në vijim Basha shtoi se Selenica do të votojë ndryshimin, do të votojë numrin 9.
“Për infrastrukturën, për fermerët, për subvencionet, për lotin e 4 dhe urën dhe mbi të gjitha për dinjitetin, për prindërit tanë, për rininë e mrekullueshme të Selenicës. 3 ditë vendimtare në të cilat nuk është fati i partive politike, por është fati i çdo familje, i çdo familje shqiptare, i çdo prindi shqiptar, i nënave shqiptare, i bijave dhe bijve tanë, i fëmijëve të këtij vendi. Prandaj jemi të gjithë bashkë dhe bashkë do të sjellim ndryshimin për Selenicën. Bashkë për ndryshimin! Votoni numrin 9”, tha në fund Basha.