Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzmi ka takuar sot banorët e prekur nga tërmeti në Hamallaj, Manzë dhe Radë, ku sipas tij banorët vazhdojnë të flenë jashtë në çadra ose në makina
Basha shprehet se “pavarësisht propagandës, shteti është inekzistent, ndërsa familjarëve tashmë u duhet të përballen edhe me përkeqësim të gjendjes shëndetësore kryesisht të fëmijëve dhe të moshuarve për shkak të të ftohtit, shirave dhe mungesës së ngrohjes”.
“Disa prej banorëve kanë që prej tërmetit të 21 shtatorit që janë në mes të rrugës, të harruar nga shteti. Ende qytetarët presin për një vendim për sigurinë e banesave të tyre. Ata nuk e dinë se çfarë do të bëhet me ta, me shtëpitë e tyre me mundin dhe djersën e një jete. 26 Nëntori nxori në pah dështimin dhe paaftësinë e kësaj qeverie. Nxori në pah sjelljen e pashpirt dhe kriminale ndaj pasojave të tërmetit të 21 shtatorit që solli humbje jetësh njerëzore”, tha Basha.
“Banorët më thanë se për faturën e ujit e të dritave shfaqën që në orët e para të mëngjesit punonjësit e shtetit, ndërsa në fatkeqësi ata janë të braktisur e të injoruar. Në prag të festave ata janë në mëshirë të fatit, propaganda tregon një realitet larg të vërtetës.E ndërsa ankthi, pasiguria e qytetarëve, mbyllja e bizneseve, shkurtimi i vendeve të punës vazhdon, qeveria po përgatit vjedhjen e radhës mbi rrënojat e tërmetit. Kjo qeveri është gati të sakrifikojë qytetarët, fëmijë e të moshuar vetëm të mos prekë 150 milionë dollarët që marrin oligarkët”, u shpreh ai./ATSH/