Partia Demokratike nuk do të pranojë vendimin e maxhorancës për të mos ngritur komisionin hetimor parlamentar për çështjen “Becchetti”.
Në një prononcim pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Kryedemokrati Lulzim Basha tha se nuk do pranojnë në heshtje shkeljen e Kushtetutës dhe se fshehja e dosjes, sipas tij është në interes të kryeministrit Edi Rama dhe tre personave të tjerë.
“Kushtetuta është e qartë sa i përket komisioneve hetimore, të fshihesh dhe të fshehësh dosjen ndoshta më të madhe korruptive të këtyre viteve, dosjen Becchetti nuk është në interes të Shqipërisë, është në interes të Edi Ramës, Erion Veliajt, Engjëll Agaçit dhe Alma Hickës dhe disa të tjerëve, por të paktën këtyre të katërtëve të cilët janë drejtpërdrejt të implikuar në një rast ku shqiptarëve po iu merren 120 mln euro për të dëmshpërblyer Beçhettin për shkak të luftës personale që Edi Rama dhe këta të tre i shpallën.
Prandaj ta harrojnë se do t’i lejojmë apo do të pranojmë në heshtje shkeljen e kushtetutës dhe mosaprovimin e një komisioni hetimor i cili jo vetëm nuk e dëmton Shqipërinë, por është e vetmja mënyrë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë dhe për të mundësuar që çfarëdo dëmi në përputhje me legjislacionin shqiptar, mos të bjerë mbi xhepat e varfëruar dhe tavolinat e zbrazura të shqiptarëve, por të bjerë mbi sarajet, pasuritë dhe llogaritë ofshore të zyrtarëve të korruptuar të cilët janë shkaku i kësaj fature dhe këtij korrupsioni me rastin ‘Becchetti’”, deklaroi Basha.