Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë takimit të sotëm me biznesin e vogël u njoh me problematikat e tyre dhe menaxhimin e pandemisë. Në përfundim të takimit, në konfernecën me gazetarët Basha u shpreh se opozita nuk e ka përdorur për politikë pandeminë.
Teksa akuzoi Ramën dhe qeverinë për mospërgjshmëri, Basha tha se opozitën e sulmon për të hequr vëmendjen nga pandemia.
“Për asnjë ditë të vetme PD dhe unë nuk kemi bërë politikë me pandeminë. Jemi të parët që kemi propozuar planin. Ne i kemi kërkuar qeverisë që të marrë masa për të ndihmuar njerëzit. Ata nuk po bëjnë këtë, por po sulmojnë opozitën, për ta hequr vëmendjen nga pandemia ndërkohë që ne po sillemi me përgjegjësitë e qeverisë. Këtë nuk e bëjmë për vota, por sepse këta jemi ne. Politikën e kam parë si instrument për ti shërbyer njerëzve.
Edhe në opozitë mund ti shërbejmë njerëzve duke ofruar propozime dhe zgjidhje. Po të na kishin dëgjuar gjendja e infeksioneve nuk do të ishte kjo që është.
Gjendja nuk përballet duke u fshehur pas gishtit, vetëm fëmijët mbyllin sytë dhe thonë nuk ekziston ajo që kam përballë.
Të gjithë e dimë që numri i atyre që vdesin nga pandemia është shumë i madh. Ne duhet të përballemi me të vërtetën. Thirrja ime është të shkunden nga propaganda dhe të kthehen në detyrë”, tha Basha.
Basha u shpreh i gatshëm se do ta bëjë vaksinën sapo ajo të vijë. Por edhe në këtë rast, kreu i PD u shpreh se qeveria nuk ka marrë masat e duhura.
“Pa diskutim, por publikisht do të kërkoj që të gjithë shqiptarët të vaksinohet. Çdo vend tjetër ka marrë masa për të siguruar vaksinën sesa Shqipëria. Kemi bërë një rezervim me Covax…Kosova ka marrë grant dhe borxh nga BB për ta marrë drejtpërdrejt. Maqedonia ka bashkuar forcat me një vend të BE. Ndërsa Shqipëria edhe në këtë rrafsh e ka lënë Shqipërinë të fundit në rajon për ta marrë vaksinën dhe kjo për mua është e papranueshme”, tha Basha.