“Pa testim nuk mund ta largojmë rrezikun e COVID-19”, tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ftuar në një emision televiziv ndërsa theksoi se testimet janë kyç për daljen nga karantina.
Basha u shpreh se “testimet janë kyç për rikthimin e ekonomisë në lëvizje dhe çdo kosto e testimeve, sado të na kushtojnë testimet, gjithçka tjetër do të na kushtojë shumë më shumë”.
“Përshëndes zërat gjithnjë e më të fortë të ekspertëve kombëtarë këtu, ju përmendët doktor Piperon, por edhe të tjerë, të cilët janë bërë këto orët e fundit gjithnjë e më vokalë, gjithnjë e më zëlartë për nevojën për të shtuar në mënyrë dramatike numrin e testimeve. Personalisht, nuk jam mjaftuar vetëm me kërkesën drejtuar qeverisë, kam pasur kontakte edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Për fat të mirë një nga partnerët tanë kryesorë, partneri ynë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadës këtij, përmes një fondi të USAID, ka vënë në lëvizje një mekanizëm, i cili shpresoj që të paktën për dy apo tre javët e ardhshme të bëjë të mundur ardhjen e një numri shumë të madh kitesh testimi në Shqipëri”, tha ai.
Basha shtoi se “i kam drejtuar OBSH-së një kërkesë prej më shumë se tri javësh për të njëjtën gjë. Pra, nuk kemi qëndruar thjesht dhe vetëm në rolin e propozuesit, por kemi bërë çfarë është e mundur, sigurisht nga pozitat e opozitës, që testimet të bëhen në mënyrë më masive si dhe të sigurohen mjaftueshëm aparate dhe pajisje testuese për shëndetësinë”.
“Ky pra është roli ynë, ky është kontributi që po japim për këtë pjesë të betejës dhe dua ta theksoj: pa ditur me saktësi jo vetëm majën e ajsbergut, të gjithë përmasat e ajsbergut nëse përdor këtë metaforë, do të jetë shumë e vështirë t’i largohemi rrezikut, i cili vazhdon të kërcënojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve në Shqipëri”, tha ai.
Më tej Basha tha se “të dyja paketat janë gjysmake dhe në total nuk kalojnë 100 mln euro, ndërkohë që Kosova vetëm në paketën e parë ka dhënë 170 mln euro. Pse kemi kërkuar që kjo paketë të mos vonohet. Kjo po jepet si shpërblim për papunësinë, pasi biznesi është në koma. Pse duhet të prisnim që këta njerëz të nxirreshin nga puna për t’i paguar, pse të mos stimulonim pra 3-4 javësh biznesin që të kishte likuiditet që të kishte para që të paguante të punësuarit. Së pari do të mbahej në këmbë në punë punëdhënësi. Shqipëria i kishte dhe i ka mundësitë monetare për t’i kompensuar bizneset”.
“E kemi vazhduar të bëjmë punën tonë pa u shkurajuar dhe do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë në shërbim të qytetarëve. Në këtë betejë kemi vetëm një prioritet: jetën, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ftesa ime ndaj Kryeministrit është që gjithë vëmendjen dhe energjinë e tij ta fokusojë te puna jashtëzakonisht e rëndësishme që ka për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe ekonominë e shqiptarëve dhe këtu opozita do të vazhdojë të jetë konstruktive, propozuese dhe të ofrojë pa asnjë kufizim të gjithë ekspertizën sikurse e ka ofruar deri sot”, tha ai.