Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se opozita do të nisë protestat mbarëpopullore. Vendimi politik u mor pas takimit me drejtuesit e partive aleate të opozitës.
“Dita e sotme është një tjetër shembull i keq se vendi drejtohet nga një kriminel dhe nga një hajdut ordiner. I cili ka marrë peng shtetin e shqiptarëve, ka marrë peng institucionet e shqiptarëve, ka marrë peng bukën e gojës së shqiptarëve, ka marrë peng kulturën dhe shpirtin e shqiptarëve. Prej 7 vitesh, PD dhe opozita, kanë bërë betejë me këtë të keqe dhe me autorin e kësaj të keqe që është Edi Rama. Me ndihmën e qytetarëve dhe mediave kemi ekspozuar ditë pas dite, korrupsionin, lidhjen me krimin dhe shkatërrimin e rendit kushtetues, të sundimit të ligjit dhe të zgjedhjeve të vjedhura e të manipuluara në Shqipëri. Nga kjo pikë pamje, e sotmja është një aferë e rradhës. Por nuk është vetëm kaq. Është guri i rëndesës në shpirtin e çdo shqiptari që merakoset për të ardhmen e fëmijës së vet. Që vuan sot për pamundësitë ekonomike të shkaktuara prej hajdutërisë dhe babëzisë së Edi Ramës, i cili për xhepat e tij ka sakfirikuar mirëqënien e çdo shqiptari edhe në këtë kohë të pandemisë. Si sot 3 vite më parë unë u ula me këtë njeri, me shpresën dhe besimin se forcat politike në vend mund të arrinin një marrëveshje politike në të mirë të kombit për një proces të lirë zgjedhor. Koha tregoi shumë shpejt se u gabova. Dua të garantoj shqiptarët se ky gabim nuk do përsëritet më kurrë. Vendimi ynë i parë sot është mbështetja për të gjitha protestat e Aleancës për Teatrin, shoqërisë civile, qytetarëve kudo që ndodhen, dhe organizimit po kështu nga ana e opozitës për protestat qytetare dhe mbarë popullore, duke nisur me efekt të menjëhershëm”, tha Basha.