Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ndaj deklaratave që ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë sot nga “Foltorja” në qytetin e Laçit.
Basha u shpreh në një reagim në Twitter se, “njeriu që po vendos veten e tij mbi PD-në dhe mbi demokratët, po bëhet gjithmonë e më qesharak me trillimet dhe gënjeshtrat e tij”.
“Qëndrimet e tij pas 9 shtatorit, tregojnë se ai nuk njeh kufi në çfarë thotë e çfarë bën vetëm për të mbrojtur interesat e tij personale”, theksoi Basha.
“PD dhe demokratët nuk do të kthehen në ‘mish për top’ për interesat e Sali Berishës”, tha Basha.
Berisha nga “Foltorja” e qytetit të Laçit, iu përgjigj deklaratave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili u shpreh një natë më parë se Berisha vendos veten përpara partisë.
Berisha e ka konsideruar një të pavërtetë, ndërsa tregoi edhe bisedën që sipas tij ka bërë me kryedemokratin Basha.
Berisha tregoi se dy muaj më parë Basha i kishte thënë se ambasadorja amerikane i ka komunikuar se nëse Berisha nuk largohet nga parlamenti, atëherë do të ketë pasoja të mëdha. Ndërsa përgjigja e ish-kryeministrit ishte se kjo është beteja e tij për dinjitet dhe se dinjitetin nuk e fal për asgjë në botë, mendim i cili, siç shprehet Berisha, është mbështetur nga Basha./ATSH/