Lulzim Basha deklaroi në takimin e tij me demokratët në Durrës, se Partia Demokratike do të ndahet plotësisht nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe nga e kaluara duke i lënë rrugën një ndryshimi jo vetëm politik, por edhe kulturor siç ai e quan.
“Ne jemi njerëzit që dimë ta lëmë pas të shkuarën, pa e harruar atë, që dimë të kërkojmë ndjesë për gabimet e së kaluarës, pendohemi për ato që s’kemi bërë dhe duhet të kishim bërë, por jemi ne po ashtu të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë në krye të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që me zor po pret t’i japë fund tranzicionit dhe dinosaurëve të tranzicionit”, tha Basha.
Basha theksoi se meritat për zbulimin e aferës se incineratorëve i takojnë Partisë Demokratike, e cila e ka denoncuar shumë kohë më parë. Pavarësisht se mazhoranca sipas tij është bërë pengesë në këtë proces, partia demokratike është e vendosur ti shkojë deri në fund kësaj çështjeje.
“Të gjithë demokratët bashkë janë garancia, janë shpresa, janë rruga për ta nxjerrë Durrësin, Krujën, Fushë-Krujën, Shijakun dhe mbarë Shqipërinë nga errësira e Edi Ramës dhe brinjëve të tjera të Trekëndëshit të Bermudës,” tha ai.
Gjithashtu, Basha u shpreh se projekti i Durrësit është një projekt mafioz dhe se partia demokratike është e gatshme ti japë fund qeverisë së korruptuar të Edi Ramës. Edhe ne Durrës ashtu si takimet e qyteteve te tjera Lulzim Basha u prit nga protestat e mbështetësve të Berishës.