Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi sot 22 intelektualët e ekzekutuar pa gjyq 70 vite më parë nga regjimi gjakatar i diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.
Basha tha se “arsyeja e vërtetë e këtij krimi ishte frika e regjimit nga forca, formimi dhe reputacioni i shkollimit të tyre në akademitë dhe shkollat më të mira perëndimore”.
“Sot ne i kujtojmë me dhimbje dhe respekt Ali Qoralliun, Anton Delhysën, Gjon Temalin, Fadil Dizdarin, Gafurr Jegenin, Haki Kodrën, Hekuran Trokën, Jonuz Kaçelin, Luka Rashkoviçin, Manush Peshkëpinë, Mehmet Ali Shkupin, Myftar Jegenin, Niko Lezon, Pandeli Novën, Petro Konomin, Pjerin Guraziun, Qemal Kasoruhon, Reiz Selfon, Sabiha Kasimatin, Tefik Shehun, Thoma Katundin dhe Zyhdi Herrin”, tha ai.
Sakrifica e tyre, tha Basha, “do të na shërbejë gjithmonë si përkujtesë se rrugën europiane të Shqipërisë na takon ta mbrojmë me çdo kusht”.
“Ata që e ndërprenë këtë rrugë përpara 70 vitesh dhe të tjerë që duan ta pengojnë sot, do të humbin dhe Shqipëria europiane do të fitojë”, shtoi ai./ATSH/