Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në një takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim.
Duke i cilësuar SHBA-të, si aleat dhe partner strategjik, Basha shprehet se “e urova ambasadoren Kim për detyrën e re dhe e sigurova atë për bashkëpunim të plotë të opozitës në përmbushjen e të gjithë angazhimeve të vendit tonë me SHBA-të”.
Ndava me të, vijoi ai, pikëpamjet për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe e garantova për angazhimin e plotë dhe serioz të PD-së në zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e krizës politike.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë në krah të popullit shqiptar ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona”, theksoi kreu i PD-së.
Ndërsa duke folur për medet pas takimit, Basha tha se po bëjmë gjithçka për t’u dhënë shqiptarëve shpresë.
“Dita e zhvillimeve politike sot dhe atyre që do të vijnë do të jetë plot me lajme, me prioritete, me zhvillime. Për një gjë ju siguroj, se gjithçka që po bëhet, po bëhet për t’i shërbyer një qëllimi që shkon përtej Partisë Demokratike dhe opozitës, qëllimi për t’u dhënë shqiptarëve një rrugë shprese dhe dalje nga kriza”, tha Basha./ATSH/