Lideri i demokratëve ka qenë i pranishëm këtë të dielë në protestën e rradhës në zonën e Unazës së Re, nga ku ka deklaruar se nuk mund të ketë Shqipëri evropiane pa shkuar para drejtësisë kryeministri Rama dhe një sërë qeveritarësh të tjerë të korruptuar.
Basha u shpreh se prej mëse një viti është ushtruar presion e terror mbi banorët që protestojnë thuajse çdo ditë në mbrojtje të banesave të tyre, të cilat rrezikohen të prishen prej projektit të Unazës së Madhe në Tiranë.
Reagimi i Bashës:
Prej një viti ndaj banorëve të Unazës së Re po ushtrohet terror. Qeveria po devijon projektin e Lanës, për t’i dhënë mundësinë një trafikanti, mik të Ramës e të Ballës, që do të pastrojë paratë e krimit në kulla. Policët, të cilët janë në hallin e tyre dhe marrin paga të ulëta, por janë rreshtuar në anën e gabuar. Gjykata ka vendosur të lërë në burg sot 3 baballarë.