Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot gjatë prezantimit të programit të PD-së për energjinë angazhimi e tij për ngritjen e bursës së energjisë. Në fakt bursa e energjisë është themeluar që në tetor të një viti më parë.
Kryeministri Edi Rama reagoi duke publikuar edhe dokumentet zyrtare të krijimit të bursës shqiptare të energjisë .
Krahas videos, Rama shprehet “Fli gjumë fli, fli vëlla, për ty paska qenë kjo dynja”.
Gjithashtu edhe Partia Socialiste ka publikuar videon ku thekson se, “Luli bën gjetjen e radhës, do krijojë bursën shqiptare të energjisë! Siç duket ka qenë në gjumë ditën që Bursa Shqiptare e Energjisë u themelua”.
Ish-deputeti i PD, Eno Bozdo reagoi duke thënë se bursa energjetike ekziston vetëm në 3D.
“Bursa ekziston vetëm 3D sepse kjo qeveri nuk ka vullnet të vërë në funksionim asnjë investim serioz. Kjo ka sjellë dhe largimin nga Bursa e Institucioneve Financiare Ndërkombëtare dhe e Investitorit Strategjik (kompani që zotëronin dhe operojnë bursa të ngjashme energjie ). Pjesëmarrja si aksionere e këtyre dy kategorive në Bursën Shqiptare të Energjisë ishte dhe është kusht që kërkohet nga legjislacioni përkatës, për të qenë brenda strukturës së kompanisë”, tha ai.